Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Gledis Nano, sipas ministrit të Brendshëm, Bledar Çuçi është shkarkuar për shkak të "mospërmbushjes së objektivave".     Foto: Policia e Shtetit/Facebook

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Gledis Nano, është shkarkuar nga detyra në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë.
Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministri i Brendshëm, Bledar Çuçi, konfirmoi vendimin për shkarkimin e Nanos, sipas tij për "mospërmbushje të objektivave".
"Sot qeveria mori vendim për shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të policisë, shkarkim i cili lidhet me mospërmbushje të objektivave që kishim vënë në lidhje me drejtorin e përgjithshëm të policisë dhe kryesisht lidhet me situatën e krijuar në muajt e fundit, situatë që normalisht kërkon një reagim më të fortë dhe një menaxhim më efikas të policisë së shtetit", u shpreh Çuçi.
Çuçi tha se Qeveria e Shqipërisë ka menduar që ndryshimi i menaxhimit nëpërmjet shkarkimit të drejtorit të përgjithshëm të policisë, "është besoj unë një masë efikase për të pasur një reagim më të fortë të policisë në luftën kundër krimit".
Kujtojmë se Gledis Nano u emërua në postin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shqipërisë në tetor të vitit 2021.

AA