Koreanët, dy dekada në Shqipëri / Photo: TRT Balkan

Shqipëria ka një komunitet prej afro 50 koreanësh, të cilët për më shumë se 20 vjet, janë vendosur me vendbanim në disa prej fshatrave të kryeqytetit, por jo vetëm.

TRT Balkan vendosi ta sjellë historinë e Mikyung Park, emri i ri i së cilës tanimë është Migena Park.

Migena, me profesion farmaciste, mbërriti në Shqipëri 26 vjet më parë me mision humanitar, për t'i ndihmuar familjet kosovare nga lufta e Kosovës.

“Ishte në 1999, kur ishte kriza e kosovarëve. Ishte hera e parë dhe pa e ditur dhe pa e njohur Shqipërinë, por ishte për të ndihmuar në fshatrat e Kosovës. Erdhëm si një skuadër mjekësore dhe kemi shkuar në Kukës”, rrëfen Migena.

Jetesa në Shqipëri i ka dhënë mundësinë Migenës të flasë e të shkruajë shqipen, sikurse të ishte vendase.

“Në Shqipëri, pa e ditur kam ardhur, por kam parë edhe njerëzit. Kam pasur shumë dashuri, qoftë për ushqimin, qoftë për gjuhën shqipe gjithashtu, edhe kulturën. Edhe njerëzit… njerëzit ishin shumë të sjellshëm dhe mikpritës.” shpjegon Migena për TRT Balkan.

Migena tregon se si ende ruan marrëdhëniet me familjet nga Kosova, duke ndjekur rrugëtimin e tyre në arsim dhe në jetë.

Ndërkaq, në mungesë të familjarëve të saj në Shqipëri, shumë shpesh ajo bashkohet në evente familjare të familjeve të fëmijëve që edukon, ku ndihet mëse e mikëpritur dhe si “në shtëpi”.

Komuniteti korean në Shqipëri është i përqendruar në sfera të ndryshme, si sporti, edukimi apo muzika.

Një pjesë e tyre janë të vendosur në Laknas dhe fshatra të tjera të Tiranës, por edhe në qytete si Kukësi apo Peqini.

Migena tregon se komuniteti i ruan lidhjet me njëri-tjetrin, e se çdo vit organizojnë aktivitete, apo festivale.

“Kemi një festival me lakër koreane, siç bëni ju turshi një herë në vit, edhe ne mblidhemi. Jo vetëm ata që janë në Shqipëri, por vijnë nga Ballkani, Bullgaria ose Gjermania dhe vende të tjera; thuajse 100 veta, edhe përgatisim kimcije.” thotë Migena në fjalën e saj për TRT Balkan.

“Festivali i Kimcijes” është një traditë e përvitshme që bën bashkë komunitetin korean dhe vendasit në përgatitjen e lakrës koreane, duke ndihmuar në shkëmbimin kulturor dhe të traditave midis dy vendeve.

TRT Balkan