Rama: Pako e Madhe në mbështetje të 1 milion qytetarëve.     Foto: AA 

Kryeministri Edi Rama informoi sot se qeveria po mbyll Pakon e Madhe në mbështetje të 1 milion individëve.

Sipas Ramës, kjo mbështetje synon të lehtësojë ndjeshëm daljen e familjeve shqiptare nga ky dimër i ngarkuar, duke zeruar efektin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë për pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike, posaçërisht nënat kryefamiljare në skemën e ndihmës ekonomike, paraplegjikët, tetraplegjikët, personat me aftësi të kufizuara, invalidët e punës, po edhe për punonjësit e shtetit, duke dhënë më shumë për ata që fitojnë më pak, por pa lënë askënd pa mbështetje.

Rama informoi se “Pakoja e Madhe, e cila parashihet mbi 8 miliardë lekë në dorë (afër 70 milionë euro) për të gjithë individët e përfshirë, do të mbyllet brenda ditës së sotme dhe do të shpërndahet e gjitha në ditët e para të janarit”.

“Kjo është qeveria e shumicës, jo e disave dhe faktet e shifrat thonë se volumi i mbështetjes financiare të atyre që fitojnë më pak ose të shtresave në nevojë, në vitet e qeverisjes sonë (pa llogaritur fondet masive të Rindërtimit pas tërmetit a të Luftës me pandeminë) është disafish më i lartë sesa në tërë qeveritë e mëparshme të marra së bashku”, tha Kryeministri.

TRT Balkan