Borrell për situatën në Kosovë: Evropa s’mund të përballojë konflikt të ri / Foto: AA

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se Evropa nuk mund të përballojë një konflikt të ri, duke iu referuar tensioneve në veri të Kosovës.

Para takimit të tij me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq, në Bruksel, Borrell tha se po punon për një takim të nivelit të lartë mes liderëve të Kosovës dhe të Serbisë.

Ai theksoi se BE-ja dënon të gjitha aktet e dhunës, ndërsa shprehu mbështetjen ndaj KFOR-it.

Shefi i diplomacisë evropiane njoftoi se sot në mëngjes ka zhvilluar bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa mbrëmë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

"U kam bërë thirrje të dyja palëve të marrin masat e nevojshme për të ulur tensionet urgjentisht dhe pa parakushte. Të gjitha llojet e hapave të njëanshëm duhet të evitohen dhe qetësia duhet të rivendoset", tha Borrell.

Sipas tij, në fazë të parë duhet të ndalohen operacionet e policisë së Kosovës në komunat në veri të vendit, ndërsa pret nga protestuesit serbë që të tërhiqen.

"BE-ja pret që palët të veprojnë me përgjegjësi dhe t'i kthehen urgjentisht dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e përhershme që do të sigurojë një mjedis që garanton sigurinë e qytetarëve në veri të Kosovës si dhe të hapin rrugën për zbatimin e marrëveshjes së re për rrugën drejt normalizimit. Për këtë punoj mbi organizimin e një mbledhje urgjente të nivelit të lartë. I kërkova Zëvendëssekretarit tim të Përgjithshëm për Siguri dhe Mbrojtje, Charles Fries, të shkojë në Kosovë dhe ai momentalisht gjendet në Kosovë", theksoi Borrell.

Ai njoftoi se vendet kandidate të BE-së janë informuar rreth çështjes dhe se kanë biseduar masat e mundshme që mund të merren sot.

"Ka pasur mjaft dhunë në Evropë. Nuk mund të përballojmë një konflikt të ri. Shpresoj që fjalët e mia të dëgjohen dhe njerëzit të veprojnë sipas kësaj", shtoi ai.

TRT Balkan / agjencitë