Ministrat e Finlandës dhe Irlandës në vizitë zyrtare në Kosovë     Foto: AA

Shteti i Finlandës dhe Irlandës kanë shprehur mbështetjen e Kosovës për liberalizimit të vizave dhe anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ministrja e Finlandës për Çështje Evropiane dhe Drejtimin e Pronësisë, Tytti Tuppurainen u shpreh optimiste se në vjeshtë do të ketë rezultate të mira për vizat.

Këto deklarime të dyja vendet i bënë pas takimit që zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi zhvilloi me delegacione nga shtetet e Finlandës dhe Irlandës, të kryesuara nga ministrja e Finlandës për Çështje Evropiane dhe Drejtimin e Pronësisë, Tytti Tuppurainen dhe ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane të Irlandës, Thomas Byrne.

Zëvendëskryeministri Bislimi u shpreh se këto dy shtete janë partnerë strategjik të Kosovës, ndërsa orientimi i përbashkët properëndimor po i sjell afër njëri-tjetrit.

Ai shpreson se anëtarësimi i Finlandës në NATO, të ndodhë sa më shpejt, derisa theksoi nevojën për marrëdhënie të mira ekonomike mes vendeve.

“Shpresojmë që anëtarësimi i shpejt i Finlandës në NATO të përfundoj me sukses dhe të pasohet pastaj edhe me anëtarësimin e Kosovës”, tha Bislimi.

Ministrja e Finlandës për Çështje Evropiane, Tytti Tuppurainen u shpreh se shteti finlandez është mbështes i të gjitha aspiratave euro-atlantike të Kosovës.

“Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka liberalizim të vizave dhe është koha që të lëvizim përpara, ne kemi mbështetur negociatat që flasin në favor të Kosovës në atë drejtim unë jam optimiste që ne do të vazhdojmë përpara në këtë çështje, në muajt në vijim ndoshta këtë vjeshtë duhet të shohim rezultate pozitive”, deklaroi Tuppurainen. Po ashtu, ajo shtoi se e mbështesin edhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Mes tjerash ministrja Tuppurainen e përshëndeti edhe marrëveshjen për energjinë në mes të Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar kohë më parë.
Mbështetje për liberalizim të vizave dhe anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, ofroi edhe ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane të Irlandës, Thomas Byrne, i cili tha se kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, është sinjal i mirë se Qeveria është serioze.

“Irlanda e mbështet liberalizimin e vizave por ka një pozicion tjetër sepse nuk jemi pjesë e schengenit ne si Irlandë drejtpërdrejtë nuk vendosim në këtë çështje për shkak të Irlandës Veriore dhe marrëdhëniet që i kemi atje”, tha Byrne. Ai foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi për të cilin tha se është forma më e mirë për të zgjidhur diferencat apo dallimet dhe për të avancuar perspektivën evropiane të Kosovës. Ministrat e Finlandës dhe Irlandës gjithashtu zhvilluan takim edhe me kryeministrin Albin Kurti i cili ka shprehur mirënjohje dhe falënderim për mbështetjen që këto shtete i japin Kosovës.

Kosova Press