Kurti: Gjatë kësaj jave aplikojmë për anëtarësim në BE.     Foto: RTK

Në mbledhjen e 112-të të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian do ta bëjnë këtë javë. "Ne jemi vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që po aplikojmë në Bashkimin Evropian, edhe pse jemi vendi i parë në rajon për nivelin e sundimit të ligjit, të lirisë dhe të demokracisë.
Ka ardhur koha që statusin potencial që na është njohur shumë kohë më parë – ta kthejmë zyrtarisht në status kandidat, duke kaluar në një fazë të re të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian", tha kryeministri Kurti.
Ky aplikim sipas Kurtit, është në përputhje me aspiratat e qytetarëve, të cilët besojnë thellë se e ardhmja e Kosovës është brenda Bashkimit Evropian, krahas shteteve demokratike.
"Para një jave, në Samitin e Tiranës mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, në deklaratën e përbashkët, Bashkimi Evropian bëri thirrje për proces të përshpejtuar të anëtarësimit. Andaj, aplikimi ynë, në njërën anë, është përgjigje ndaj premtimit që Bashkimi Evropian i ka dhënë për anëtarësim rajonit nga Samiti i Selanikut i vitit 2003, por edhe përgjigje direkte ndaj thirrjes së para një jave në Samitin e Tiranës", theksoi Kurti.
Krahasuar me shtetet e rajonit, në kohën kur ato kanë aplikuar, Kosova siç potencoi Kurti është më e përgatitura.

TRT Balkan