Kurti: Serbia gjithnjë e më abnormale   / Foto: AA Archive

Për dallim nga Kosova e cila dëshiron normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, kjo e fundit, sipas kryeministrit Albin Kurti, është gjithnjë e më abnormale.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë edhe partnerë edhe aleatët tanë, andaj ne do të bashkëpunojmë ngushtë në mënyrë që të bëhet normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, por duhet ta kuptojmë që kemi një Serbi gjithnjë e më abnormale, pra ndërkohë që ne dëshirojmë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, ky vit që posa lamë pas është vit i abnormalizimit të mëtutjeshëm me Serbinë”, ka thënë ai.

Duke folur për planin franko-gjerman, Kurti ka përsëritur qëndrimin e Kosovës se i njëjti është bazë e mirë për atë që është diskutuar, por që është refuzuar nga Serbia.

“Plani i Bashkimit Evropian i mbështetur nga Franca, Gjermania dhe Shtetet Bashkuara të Amerikës, e kemi konsideruar si bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, ndërkohë që Serbia e ka refuzuar atë në mbledhjen e këshillit nacional të sigurisë të mbajtur në Beograd më 27 tetor të vitit 2022, konkluzion unanim i refuzimit të këtij propozimi që u bë publik nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Daçiq, i cili ka qenë përndryshe zëdhënësi i partisë së Millosheviqit”, ka thënë Kurti.

Një ditë para se në Kosovë të arrijë këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, kryeministri i Kosovës ka thënë se vizita e tij është më shumë se e mirëpritur dhe sipas tij vjen në një moment të rëndësishëm kur po afrohet njëvjetori i invazionit rus në Ukrainë.

Sipas Kurtit, agresioni ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës ka pasur pasoja edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke përmendur këtu Serbinë e cila nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, por ka bërë marrëveshje me ta.

TRT Balkan / agjencitë