Bajram Begaj merr zyrtarisht detyrën e Presidentit të Shqipërisë

Bajram Begaj merr zyrtarisht detyrën e Presidentit të Shqipërisë

Pas betimit mbi Kushtetutën e Shqipërisë, Begaj mbajti një fjalë përshëndetëse në Kuvend
Bajram Begaj merr zyrtarisht detyrën e Presidentit të Shqipërisë     Foto: 

Presidenti i ri i Shqipërisë, Bajram Begaj, edhe zyrtarisht e ka marr detyrën, pas betimit në Kuvendin e Shqipërisë dhe pas ceremonisë në Presidencë.
Pas betimit mbi Kushtetutën e Shqipërisë, Begaj mbajti një fjalë përshëndetëse në Kuvend, ku theksoi se përgjegjësia që ai merr vjen në një moment historik për Shqipërinë, që sipas tij, "ka hyrë në një rrugë të pakthyeshme evropiane".
"U betova sot se do t’i shërbej Kushtetutës, interesit kombëtar dhe përparimit të popullit shqiptar dhe të përmbush detyrën time sipas parimeve dhe normave të kushtetutës. Këtë mision do ta kryej mbi palët, por unë nuk do të qëndroj neutral ndaj asnjërit që bie ndesh me këtë betim, ndaj asnjërit që vendos interesat personale përpara interesave të kombit tonë”, tha Begaj.
Ai shtoi se do të mbështesë bashkëpunimin mes të gjitha forcave politike, në gjetjen e gjuhës së përbashkët.
Begaj shtoi se angazhimi i të gjithëve është “të kemi ndjenjën e përgjegjësisë dhe të respektojmë vendimet e organeve kompetente”.
Pas betimit, Begaj u drejtua selisë së Presidencës së Shqipërisë, ku iu dorëzua detyra nga ish-presidenti Ilir Meta.
“Do të jem shërbëtor i popullit tim, përfaqësues i unitetit tonë kombëtar, mbështetës i palëkundur i rrugëtimit euroatlantik për të gjithë shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Luginës së Preshevës dhe kudo që ata jetojnë e punojnë”, tha presidenti Begaj.
Profili i presidentit të ri
Bajram Begaj, i cili mbante postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, u zgjodh më 4 qershor të këtij viti, President i ri Shqipërisë për një mandat pesëvjeçar.
Begaj ka lindur më datë 20 mars 1967, në qytetin e Rrogozhinës. Ai ka përfunduar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë.
Ai ka shërbyer në pozicione të ndryshme drejtuese në Forcat e Armatosura të Shqipërisë, ndërsa në korrik 2020 është zgjedhur në postin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Presidenti i zgjedhur Begaj flet gjuhën angleze, ndërkohë ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.

AA