BE mbikëqyr tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.     Foto: AA/Arkiv 

Bashkimi Evropian (BE) u ka kërkuar liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të shmangin deklaratat që rrisin tensionet, duke përfshirë mundësinë e konfliktit në Ballkanin Perëndimor.

“Deklaratat provokuese të zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë të bëra kohët e fundit, veçanërisht në lidhje me luftën dhe konfliktin në Ballkanin Perëndimor, përbëjnë një shqetësim të madh”, tha në një deklaratë Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Në këtë njoftim thuhet se politikanët nga të dyja palët do të mbajnë përgjegjësi për ngjarjet që do të shkaktojnë rritje të dhunës dhe tensioneve në rajon.

“Të dyja palët duhet menjëherë t'i japin fund armiqësisë së ndërsjellë dhe deklaratave të rrezikshme dhe të sillen me përgjegjësi”, thuhet në deklaratë.

Siç thuhet në njoftim, Serbia dhe Kosova mund të diskutojnë të gjitha çështjet në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili zhvillohet nën patronazhin e BE-së.

Rritja e tensioneve në marrëdhëniet Serbi-Kosovë

Në fillim të gushtit u rritën tensionet në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës, të cilat u ngritën pasi serbët në veri të Kosovës bllokuan rrugët për në pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Bllokada u vendos më 31 korrik, një ditë para hyrjes në fuqi të vendimit të Qeverisë së Kosovës për lëshimin e dokumenteve hyrëse-dalëse për shtetasit serbë që hyjnë në Kosovë dhe ndryshimin e targave serbe të regjistrimit të automjeteve.
Pas kontakteve me faktorët ndërkombëtarë, autoritetet kosovare njoftuan se kanë vendosur që masat e reciprocitetit të dokumenteve serbe të shtyhen për 1 shtator, nëse hiqen të gjitha barrierat rrugore dhe nëse mundësohet liria e lëvizjes në veri të Kosovës.

Ndërkaq, BE-ja njoftoi se më 18 gusht në Bruksel do të mbahet takimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili organizohet me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borel.

Ky do të jetë takimi i parë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve pas më shumë se një viti në një nivel të lartë politik ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

AA