Firmoset marrëveshja për Roamingun mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. / Photo: Edi Rama/Facebook

Në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor u nënshkrua sot në Tiranë marrëveshja Roaming, e cila i hap rrugë nisjes së procesit për heqjen e tarifës roaming mes vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Marrëveshja u nënshkrua në prani të 6 udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor, presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel, presidentes së KE-së Ursula Von Der Leyen, komisarit për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Oliver Varhelyi dhe Sekretares së Përgjithshme të Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit Majlinda Bregu.

Marrëveshja për lehtësimin e tarifave të Roamingut hyn në fuqi duke nisur nga 1 tetori 2023.

Ndërkohë, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se marrëveshja për roamingun është një arritje konkrete, ndërsa në kuadër të samitit do të diskutohen edhe shumë çështje të tjera me rëndësi për Ballkanin Perëndimor dhe BE-në.

“Sot do të nënshkruajmë një marrëveshje për tarifat roaming, është një arritje konkrete. Ky është një hap shumë i rëndësishëm, një tjetër element është mbështetja që duam t’i japin Ballkanit Perëndimor në raport me krizën energjetike dhe vështirësitë energjetike që janë pasoja të luftës së Rusisë në Ukrainë. Është emocionuese që në këtë rajon të kemi një takim të këtij niveli. Ne jemi shumë të bindur që e ardhmja e Europës dhe e fëmijëve tanë do të jetë më e begatë me Ballkanin Perëndimor, pjesë të Europës”, u shpreh Michel.

Samiti i Tiranës është samiti i parë mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që mbahet në një vend joanëtar.

TRT Balkan / agjencitë