Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz në takim me ministrin e Jashtëm të Türkiye-s, Mevlüt Çavuşoğlu     Foto: AA

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz pas takimit të realizuar me ministrin e Jashtëm të Türkiye-s (Turqisë), Mevlüt Çavuşoğlu, ka theksuar se Türkiye i ka qëndruar në krah Kosovës në momente të vështira dhe vendimtare dhe për këtë “do të mbetemi gjithmonë mirënjohës”.

Ajo tha se me homologun turk, kanë folur edhe për zhvillimet në rajon ku ka vënë në pah se përshëndesin çdo veprim për të forcuar përpjekjet për të gjetur “zgjidhje të qëndrueshme për rajonin tonë ende të trazuar”.

“Republika e Kosovës e ka të qartë përcaktimin e saj për integrime në të gjitha strukturat euro-atlantike. Si një anëtare e rëndësishme e NATO-s, pas agresionit rus në Ukrainë, Türkiye ka ofruar ndihmën e saj si ndërmjetësuese dhe është po ashtu aktive në Ballkan si ndërmjetësuese neutrale edhe në mes të Serbisë dhe të tjerëve”, theksoi Gërvalla-Schwarz.

Sa i përket pozicionit të Kosovës në këtë kontekst, ministrja tha se ai është i qartë, ku “Rusinë dhe Serbinë i shohim jo vetëm si faktor agresiv, por edhe destabilizues për të gjithë rajonin tonë”.

Ministrja kosovare tha se është kënaqësi takimi me homologun turk, i cili është një mik vërtetë i mirë i Kosovës dhe e njeh mirë historinë e dhimbshme të shtypjes dhe gjenocidit në Kosovë dhe i cili në të gjitha lëvizjet e tij në rajon nuk e harron përvojën jo vetëm historike por edhe shumë të freskët të gjenocidit dhe luftës në këtë rajon.

Ajo tha se me ministrin Çavuşoğlu biseduan edhe rreth angazhimit të Türkiye-s në mbështetjen e dhënë në fushën e arsimit si dhe shprehu mirënjohje për Qeverinë turke për ndihmën në fushën e shëndetësisë, ndërsa po ashtu ka shprehur interesimin e Kosovës për investime direkte turke në vend.

“Shpreha gjithashtu interesimin e Republikës së Kosovës në thellimin e bashkëpunimit, krijimin e mundësive për më shumë investime direkte turke në Kosovë dhe përdorimin maksimal të potencialit të ofruar në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë e cila hyri në fuqi në qershor të vitit 2019”, theksoi Gërvalla-Schwarz.

Ministrja Gërvalla-Schwarz lavdëroi në fund edhe Memorandumin e Mirëkuptimit në Aviacionin Civil për të rritur frekuencat e fluturimeve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Türkiye-s, të nënshkruar nga ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu me ministrin Çavuşoğlu.

AA