Dalja e Ivo Sanaderit pas shpalljes së pafajësisë në rigjykimin për aferën Hypo.     Foto: HINA

Gjykata e Qarkut në Zagreb, në gjykimin e përsëritur, të tretin me radhë për aferën ‘Hypo’, ka liruar nga akuzat për profitim lufte ish-kryeministrin e Kroacisë Ivo Sanader.
Dy proceset e mëhershme për aferën ‘Hypo’ ku ish-kryeministri kroat ishte dënuar me dy vjet e gjysmë heqje lirie, janë hedhur poshtë nga Gjykata Supreme dhe Gjykata Kushtetuese e Kroacisë.
Sanader erdhi në gjykatë me përcjellje policore, nga burgu ku po vuante dënimin.
Aktakuza e Zyrës për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ngarkon Sanaderin se ka marrë ryshfet nga banka austriake Hypo në vlerë prej 3.6 milionë kunave (470.000 euro) për të realizuar kredi për blerjen e një ndërtese për ambasadën kroate. Në atë kohë, kur Kroacia ishte në luftë, Sanader ushtronte detyrën e ndihmësit të Ministrit të Jashtëm, në vitet 1994 dhe 1995.
Duke marrë parasysh se vepra penale kishte filluar në kohën e luftës kombëtare, Zyra për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ngritur procedurë ku vepra është karakterizuar si profitim lufte dhe jo thjesht mitmarrje. Në rast të mitmarrjes, ligjërisht vepra do të ishte vjetruar.
Pas shpalljes së aktvendimit për lirimin e Sanaderit në shkallën e parë, prokurorja e Zyrës për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Marija Vučko, paralajmëroi se pritet rigjykim në procedurë të shkallës së dytë.
Avokatët mbrojtës të Sanaderit, Jadranka Sloković dhe Čedo Prodanović, thanë se janë të kënaqur me aktvendimin e sotëm, por vlerësojnë se nuk ka pasur mitmarrje në aferën ‘Hypo’ pasi nuk është prezantuar asnjë dëshmi për këtë gjë.
“Të mos dalë se Sanader është liruar vetëm për shkak të vjetrimit të veprës, ne edhe më tej qëndrojmë në vlerësimin se nuk ka asnjë dëshmi për kryerjen e veprës penale bazë”, tha Prodanović.
Avokatët njoftuan bashkimin e tri dënimeve të vendosura ndaj Sanaderit, të cilat bashkë bëjnë 19 vjet burg dhe sipas ligjeve kroate, dënimi maksimal i kombinuar për këto krime mund të arrijë në 15 vjet. Nëse dënimet kombinohen në maksimum 15 vjet, Sanader ka mundësinë e lirimit me kusht pas vuajtjes së gjysmës së dënimit, pra 7 vjet e gjysmë.
Ivo Sanader është në burg që nga viti 2019, për shkak të tri aktgjykimeve të plotfuqishme. Ai është dënuar për tri afera me gjithsej 19 vjet heqje lirie.

AA