KFOR duke e paturlluar nga ajri në territorin e Kosovës.     Foto: NATO-KFOR/Twitter 

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ferenc Kajari, vlerësoi se në Kosovë nuk ka rrezik potencial për luftë dhe tha se me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti ka biseduar se nuk është mirë të flitet për luftë.

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ferenc Kajari.     FOTO: NATO Ferenc Kajari/NATO

“Përgjigja më e thjeshtë është jo. Nuk mendoj se lufta është një çështje e rëndësishme, besoj. KFOR-i nuk ka parë asnjë indikacion për një ngjarje të tillë. Nuk ka rrezik lufte në këtë pjesë, NATO dhe KFOR janë aty”, ka thënë ai në një intervistë për RTK-në.

NATO, në një kohë relativisht të shkurtër, mund të shtojë trupa ushtarake dhe pajisje shtesë nëse i nevojiten, përsëriti atë që tha javën e kaluar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Kajari nuk ka dashur të komentojë nëse presidenti i Serbisë ka kërkuar që të përqendrojë trupat e KFOR-it në urën mbi lumin Ibër. Ai tha se ata dhe askush tjetër nuk vendosin për aktivitetet e misionit ushtarak të KFOR-it.

KFOR-i nuk do të lejojë barrikada nëse ato vendosen.

Rezoluta 1244 e OKB-së i jep dy detyra KFOR-it në Kosovë, të cilat Kajari i quajti detyrat kryesore. Ruatja e mjedisit dhe rendit në Kosovë dhe ruajtja e lirisë e lëvizjes së lirë për të gjithë qytetarët, sipas Kajarit është ndër detyrat kryesore të KFOR-it.

“Nëse ndërtohen barrikada, kjo e bën të pamundur lëvizjen e lirë dhe nëse nuk arrihet marrëveshje, atëherë do të arrijmë në një moment kur KFOR-i do të duhet të veprojë për të mundësuar lirinë e lëvizjes”, shtoi Kajari.

Komandanti Kajari, ndërkaq, ka kujtuar marrëveshjen mes KBS-së dhe NATO-s se KBS nuk mund të shkojë në veri pa pëlqimin e komandantit të KFOR-it.

Sipas tij, “kështu ka qenë edhe më parë dhe të gjithë kanë qenë dakord për këtë”.
Ai foli në të njëjtën kohë për bashkëpunimin me Forcat e Sigurisë së Kosovës në kuadër të mandatit, si për heqjen e mjeteve shpërthyese, ndihma humanitare dhe kërkimin e shpëtimit.

“Forcat e Sigurisë së Kosovës janë dëshmuar shumë herë se janë shumë të afta për të kryer detyrat e tyre”, tha Kajari.

KFOR-i monitoron aktivitetet e të gjitha grupeve

Në pyetjen e RTK-së për aktivitetet e grupeve kriminale serbe në veri, gjeneralmajor Kajari tha se KFOR-i monitoron me kujdes aktivitetin në ato zona.

“Ne monitorojmë të gjitha grupet, ne do të përdorim të gjitha kapacitetet tona sipas nevojës për të rivendosur dhe ruajtur situatën e sigurisë. KFOR-i i ka të gjitha kapacitetet dhe burimet e duhura, si dhe mandatin për të vepruar kundër të gjitha grupeve që mund të kërcënojnë sigurinë e gjithë zonës”, tha Kajari për RTK-në.

TRT Balkan / agjencitë