Kurti: Dialogu në Bruksel të jetë për njohje reciproke me Serbinë

Kurti: Dialogu në Bruksel të jetë për njohje reciproke me Serbinë

Kosova ka shprehur gatishmërine për arritjen e marrëveshjes përfundimtare
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.     Foto: Reuters 

Dialogu me Serbinë duhet të jetë për marrëveshje ligjërisht të obligueshme, normalizim të plotë dhe njohje reciproke, kështu është shprehur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke komentuar takimin që do të mbahet më 18 gusht në Bruksel.
Kurti i bëri këto komente pas një aktiviteti të Kuvendit për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë.
“Kam gatishmëri dhe interesim që dialogu në Bruksel bisedimet aty përveç se të jenë parimore dhe përmbajtjesore në të njëjtën kohë të mos jetë dialog për dialog por dialog për marrëveshje ligjërisht e obligueshme, për normalizim të plotë me njohje reciproke më qeveri. Por ju duhet ta kuptoni që marrëveshja bëhet me palën tjetër dhe në këtë rast varet nga pala tjetër a do të ketë marrëveshje, ndërsa sa më përket mua gatishmëria dhe interesimi janë të padiskutueshme dhe të palëkundshme,” ka thënë Kurti.
Ndërsa sa i përket reciprocitetit, Kurti shtoi se do të implementohet si veprim i shëndosh dhe normal i marrëdhënieve fqinjësore ndërmjet dy vendeve.
“Ne po i marrim vendimet sovrane por unë e kam thënë edhe në takimin e 15 qershorit të vitit të kaluar, edhe në 19 korrik të vitit të kaluar, se marrëveshja është e qëndrueshme dhe e zbatueshme kur ka parime të shëndetshme brenda, reciprociteti është veprim i shëndosh dhe normal i marrëdhënieve të mira fqinjësore”, ka shtuar ai.

Kosova Press