Kurti për heqjen e barrikadave: S'ka pasur kurrfarë marrëveshje të fshehtë  Foto: AA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, lidhur me akuzat e opozitës kosovare që barrikadat në veri të Kosovës u hoqën pas marrëveshjes së fshehtë me Serbinë, është shprehur se nuk ka pasur marrëveshje të fshehta, por ka pasur takime me KFOR-in, EULEX-in dhe ambasadorët e QUINT-it, veçanërisht me ambasadorin e SHBA-së. Në një intervistë për agjencinë Kosovapress, Kurti ka theksuar se garancia e vetme që i kanë dhënë ndërkombëtarëve ka qenë se s’ka lista për arrestime në veri, duke mohuar kategorikisht se ka dhënë garanci për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. “Kemi thënë se durimi i qytetarëve dhe qeverisë po shteron, andaj ne japim ca më shumë kohë dhe ca më shumë hapësirë KFOR-it, por kjo nuk mund të jetë e pafundme. Por, gjithashtu nga takimet që kemi pasur kemi filluar të vërejmë angazhimin e tyre të shtuar drejt largimit të atyre barrikadave, andaj në ditën e diel e patëm thënë se është çështje ditësh se kur do të largoheshin këto barrikada. Nëse nuk do të largoheshin nga KFOR-i atëherë do të detyrohej Policia e Kosovës ta bënte këtë. Ajo mua më ka bindur drejtpërdrejtë kur i kam vizatuar se e ka jo vetëm vullnetin por edhe kapacitetet për largim efikas të atyre barrikadave”, tha ai. Megjithatë, ai thotë se është bërë mirë që barrikadat i hoqën vet, sesa të detyrohej ta bënte Policia e Kosovës. Derisa tregon edhe grupet kriminale që kanë qenë prapa barrikadave në veri. “Nga informacionet që merrnim u bë e qartë se në veri të Kosovës filluan të qarkullojnë njerëzit që ose ishin drejtpërdrejtë të inkuadruar ose kishin lidhje me mercenarët e Wagnerit, pastaj me formacionin paramilitarë ujqërit e natës dhe të njëjtën kohë ata përdornin taktika që i përngjajnë ato të vitit 2014 në Ukrainë…Këto barrikada nuk ka qenë aq shumë barrikada kundër qeverisë, sa për bindjen time kanë qenë kundër pluralizmit politik në komunitetin serb në Kosovë. Kanë qenë barrikada kundër Nenad Rashiq dhe Rada Trajkoviq, mbase më shumë sesa barrikada kundër Albin Kurtit", theksoi kryeministri Kurti. Sipas tij, garancia e vetme që i kanë dhënë ndërkombëtarëve është që s’ka lista për arrestime. Siç thotë Kurti, garancia të tjera për institucionet e Kosovës janë Kushtetuta, rendi dhe ligji, por edhe koordinimi me aleatët ndërkombëtar. Ndërkaq, mohon se ka dhënë garanci për themelimin e Asociacionit të komunave serbe. Ai thotë se ata që bënë “asociacion të barrikadave’ po kërkojnë asociacion të komunave, që komunat t’i duan si barrikada dhe të njëjtat t’i bëjnë bashkë. “Nuk ka garancinë të tilla nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Për neve është shumë e qartë se asociacioni i komunave u bë asociacioni i barrikadave. Ky është asociacion i barrikadave. Pra ata të cilët e bënë asociacionin e barrikadave, po kërkojnë asociacion të komunave. Sipas tij, presidenti serb, Vuçiç por edhe Rusia po i përdorin barrikadat si mjete politike për dialogun Kosovë-Serbi.

TRT Balkan / agjencitë