Në Kuvendin e Kosovës ka vazhduar Takimi i Nëntë e Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë.     Foto: AA

Në Kuvendin e Kosovës ka vazhduar Takimi i Nëntë e Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë.

Në ditën e dytë të takimit, temë e diskutimit ishte dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e BE-së dhe bashkëpunimi rajonal.

Deputet austriak i Parlamentit Evropian, Lukas Mandi tha se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian nuk është dialog ndërmjet dy qyteteve, Prishtinës dhe Beogradit, por dialog ndërmjet dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, dhe kjo është dashur të bëhet e qartë nga fillimi.

Mandl theksoi se është mirë që BE-ja po udhëheq një dialog, por se duhet të jetë kritik se si zhvillohet dialogu. Ai shtoi se nuk duhet anashkaluar roli pozitiv i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe mbështetja e emisarit Gabriel Escobar.

"Ne ende flasim për të kaluarën, kemi ende nacionalizëm dhe duhet të flasim për bashkëpunimin e të rinjve serbë dhe shqiptarë, i cili është i rëndësishëm për të ardhmen", tha Mandl.

Deputetët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, si përfaqësues të komunitetit, duhet të marrin pjesë në diskutime, ka shtuar ai.

"Do të ishim të lumtur nëse mund të bisedonim me kolegët tanë të Listës Serbe këtu në Kuvendin e Kosovës, ata i kanë vendet e garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por nuk janë këtu dhe nuk kanë qenë këtu me muaj dhe përgjithësisht nuk duan të bashkëpunojnë shumë", tha Mandl.

Eurodeputeti austriak tha se është e padrejtë që qytetarët e Kosovës ende kanë regjim të vizave, duke shtuar se ishte e padrejtë që Kosova të kushtëzohet me liberalizimin e vizave në dialogun me Serbinë. Ai tha se një numër i vogël i vendeve anëtare të BE-së e bllokojnë atë proces dhe se kjo çështje nuk është në duar Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, të cilët kanë rekomanduar qartë disa herë heqjen e vizave.

Ai tha se e ardhmja e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të jetë në Bashkimin Evropian dhe se rëndësia e kësaj është theksuar veçanërisht pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.

Mirëpritet marrëveshjet e Procesit të Berlinit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, theksoi se perspektiva e palëkundur e integrimit evropian duhet të jetë aspirata dhe përkushtimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor, por më e rëndësishmja e Bashkimit Evropian dhe anëtarëve individualë të BE-së. Muja vlerësoi se çdo hezitim paraqet mundësinë e plotësimit të oreksit të vendeve të tjera, veçanërisht Rusisë, për të shtrirë ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor.

Muja ka kujtuar se Kosova ka qëndruar në anën e BE-së në agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, ndërsa tha se është i shqetësuar për hezitimin e Serbisë për ta dënuar atë agresion. Sipas tij, kjo paraqet qartë dilemë për sigurinë e Kosovës dhe sfidë për paqen në Ballkanin Perëndimor.

Kosova mbron dhe kontribuon në Procesin e Berlinit dhe mbështet fuqishëm tregun e përbashkët rajonal, tha Muja.

"Ne e mirëpresim nënshkrimin e tri marrëveshjeve për lëvizje të lirë, pa viza dhe pa pasaporta dhe kjo u konkludua dje në kuadër të Procesit të Berlinit. Gjithashtu, edhe marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave në arsimin e lartë dhe kualifikimeve i heq disa nga pengesat për mobilitetin e njerëzve në Ballkanin Perëndimor", tha Muja.

Duke folur për dialogun, Muja tha se qëllimi strategjik për Kosovën është që njohja nga Serbia dhe ulësja në Kombet e Bashkuara të mos ndahen në marrëveshjen përfundimtare dhe detyruese.

"Njohja nga Serbia, ulësja në OKB, njohja nga pesë vendet e BE-së dhe anëtarësimi në NATO paraqet zgjidhje të përkushtimit tonë strategjik ndaj Bashkimit Evropian dhe botës së lirë dhe përbën zgjidhje të dilemës për sigurinë e Kosovës", tha Muja.

Ai akuzoi Serbinë për minimin e vazhdueshëm të procesit të dialogut, gjë që shihet edhe përmes një pjese të madhe të marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani, duke përmendur marrëveshjen për energjinë, lirinë e lëvizjes dhe të tjera.

Muja po ashtu vlerësoi se mbështetja e Beogradit për grupet kriminale në veri të Kosovës paraqet sfidë ndaj ligjit dhe rendit, ndërsa grupimi i ushtrisë në kufirin me Kosovën në kohë krize tregon një qasje arkaike për zgjidhjen e problemeve.

Deputetët e partive opozitare të Kosovës theksuan domosdoshmërinë e fokusimit të BE-së në përfundimin e dialogut me një marrëveshje gjithëpërfshirëse juridikisht obligative dhe përfundimtare me njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

AA