Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka hapur sot Konsullatën e Nderit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me seli në Edirne. Eser Cevahir është emëruar konsull nderi dhe do të mbulojë rajonet e Kirklarelit dhe Tekirdağut.
“Kam kënaqësinë që në këtë qytet të bukur të hap konsullatën e parë të nderit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në rajon, e cila jam i sigurt se do të jetë një nxitje shtesë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tradicionalisht të ngushta dhe miqësore ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Türkiyes”, theksoi Osmani në fjalimin e tij para të ftuarve të pranishëm.
Hapja bëhet në 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve dhe potencialet për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor, turistik, energjetik, ndërtimor dhe infrastrukturës janë të mëdha.
“Megjithatë, ne nuk ndalemi këtu, por synojmë ta zgjerojmë një bashkëpunim të tillë në projekte konkrete, për të cilat jam i bindur se konsulli ynë i nderit Xhevahir do të kontribuojë në masë të madhe”, tha Osmani, thuhet në njoftimin e MPJ-së.
Në kuadër të qëndrimit në Türkiye, Osmani pati një takim me guvernatorin e Edirnes Huseyin Kurshat Kirbiyik, me të cilin biseduan për shkëmbimin e përgjithshëm mes dy vendeve, me referencë të veçantë për bashkëpunimin me rajonin e Edirnes, e cila është qendër e rëndësishme industriale dhe turistike e Türkiyes.
Osmani pati një takim edhe me një numër të madh studentësh nga Maqedonia e Veriut që studiojnë në Universitetin Trakia në Edirne. Në një atmosferë joformale, ata diskutuan për zhvillimet aktuale të politikës së jashtme të Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë aktivitetet rreth kryesimit të ardhshëm të OSBE-së, A5-s dhe PSIJE-s, si dhe sfidat me të cilat po përballet rajoni dhe bota, në përgjithësi.