Masakra e Srebrenicës, Osmani: Paqja e mundur vetëm kur ka drejtësi për viktimat /    Foto: AP

Në 29-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka përkujtuar djemtë e burrat boshnjakë që u vranë brutalisht nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit në Bosnjë e Hervegovinë.

Osmani theksoi se Srebrenica është një simbol i nevojës së vazhdueshme për drejtësi, ndërsa paqja e qëndrueshme është e mundur vetëm atëherë kur ka drejtësi për viktimat.

“Srebrenica nuk është vetëm vend në hartë, por një simbol i nevojës së vazhdueshme për drejtësi, rëndësisë së të vërtetës dhe fuqisë së kujtimit. Tmerret e atij kapitulli të errët, kur mbi 8 mijë djem e burra boshnjakë u vranë brutalisht nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit, janë kujtesë e mizorisë njerëzore. Sot, në Ditën Memoriale në shenjë të përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë, nderojmë kujtimin e jetëve të pafajshme të humbura dhe ripërsërisim se paqja e qëndrueshme është e mundur vetëm atëherë kur ka drejtësi për viktimat”, ka shkruar Osmani.

Qeveria e Kosovës miratoi dje që 11 korrikun ta shpallë Ditë Memoriale në Përkujtim të Gjenocidit të Srebrenicës.

Në korrik 1995, më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë u morën, u torturuan dhe u vranë brutalisht në vendin e tyre nga njësitë e ushtrisë së atëhershme të Republikës Sërpska nën komandën e të dënuarit të Hagës Ratko Mlladiq.


TRT Balkan / agjencitë