“Sfidat kryesore dhe zgjidhjet lehtësuese për rajonin” temë e radhës në takimin e Open Ballkan     Foto:AA

Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria kanë arritur marrëveshje në Tiranë, për tejkalimin e krizës energjetike dhe efekteve të mundshme nga lufta në Ukrainë, sa i përket mungesave në ushqim. Zëvendëskryeministri për Çëshje Ekonomike i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytiqi, në konferencën e përbashkët në kuadër të “Ballkanit të hapur”, me temë “Sfidat kryesore dhe zgjidhjet lehtësuese për rajonin”, sot në Tiranë deklaroi se të tre vendet janë të pajtimit që siguria e ushqimit në kushtet e krizës botërore paraqet sfidë dhe për këtë arsye duhet të krijohen të gjitha mekanizmat e bashkëpunimit.

“Sa i përket krizës energjetike kemi thënë dhe jemi dakordësuar që në kushtet e krizës ekonomike globale për ndërlidhjen rajonale me qëllim të sigurimit të një stabiliteti dhe një sigurie më të madhe në energjetikë. Sepse jo vetëm në qeverinë e Maqedonisë së Veriut është ky fokus, por të njëjtën e ndajmë dhe me partnerët në rajon në Shqipëri dhe Serbi. Dhe kjo do të duhej të ishte një nxitje për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës Lindore që t’i bashkohen shqyrtimit të përbashkët të këtij problemi”, u shpreh Bytyqi.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Bujqësisë, Pyjeve dhe Menaxhimit të Ujërave të Serbisë, Branislav Nedimoviç, vlerësoi sot korridorin e gjelbër për transportin e prodhimeve ushqimore, në kuadër të “Ballkanit të Hapur” që sipas tij ka shtuar qarkullimin me 17% mes tre vendeve.

“Në sektorin e ushqimit kemi linjën e veçantë të Open Ballkan të ashtuquajturin korridorin e gjelbër në vendkalime dhe ushqimi kalon pa kurrfarë problemi nga pika në pikë sikur të bëhet fjalë për ushqimin vendor pa ndalesë, pa probleme që i kemi teknike në Maqedoninë e Veriut, por gjithçka është shumë më mirë seç ka qenë para 7-8 muajsh”, tha Nedimoviç

Energjia, siguria ushqimore dhe mbrojtja civile janë tre drejtimet e para kryesore ku është fokusuar bashkëpunimi mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, tha ministri i Shteti për Rindërtim i Shqipërisë, Arben Ahmetaj

Sipas tij, ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë u ra dakord për të bashkëpunuar për shfrytëzimin e rezervave të qymyrit me qëllim furnizimin me lëndë të parë të impianteve termo të Serbisë.

“Maqedonia e Veriut ka shprehur interes për të investuar në terminalin LG në Vlorë. Ndërsa në sektorin e bujqësisë është dakordësuar lehtësimi i barrierave të furnizimit mbi sigurinë ushqimore si dhe funksionimi i tregut të lirë mes tre vendeve. Vendet janë dakordësuar për gjetjen e një mekanizmi në rastet e përkeqësimit të krizës për akses në furnizimin e tregjeve”, tha Ahmetaj.

Iniciativa "Ballkani i Hapur" aktualisht mbulon një zonë ekonomike dhe politike midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, që synon të nxisë mundësitë e tregtisë, qarkullimit të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit për rreth 12 milionë njerëz, si dhe të inkurajojë integrimin e të tre vendeve në BE.

TRT Balkan / agjencitë