Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.     Foto: Petar Petkoviq/Facebook 

Dita e djeshme në Bruksel ka qenë jashtëzakonisht e vështirë dhe se delegacioni nga Beogradi i kryesuar nga presidenti Aleksandar Vuçiq ka luftuar për paqen dhe gjetjen e zgjidhjes, tha sot në konferencë për shtyp drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

"Dje ishte jashtëzakonisht e vështirë. Nuk mund të themi se dita ishte e suksesshme, por ne bëmë të pamundurën për të luftuar për paqen dhe për të vazhduar bisedimet për të ecur në drejtim të një zgjidhjeje kompromisi", tha Petkoviq.

Ai po ashtu tha se ndihet krenar për mënyrën se si presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dje mbrojti qëndrimin e popullit serb dhe kërkoi një zgjidhje kompromisi, për të ruajtur paqen, dhe iu përgjigj përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare dhe Albin Kurtit në mënyrë të qetë dhe të mençur, edhe pse bisedimet e djeshme rezultuan të pasuksesshme.

“Ne kemi një president i cili me ndershmëri, përkushtim dhe vendosmëri luftoi për interesat serbe, për interesat e popullit serb dhe për ruajtjen e paqes në Ballkanin Perëndimor”, tha Petkoviq.

Mes tjerash ai theksoi se përfaqësues të shumtë të bashkësisë ndërkombëtare e pranuan se delegacioni nga Beogradi ishte i përkushtuar, po kërkonte zgjidhje dhe se të gjithë e shihnin qartë se sa konstruktiv ishte Beogradi, dilte me propozime dhe zgjidhje dhe se ishte i gatshëm të pajtohej, ndërkohë që nuk kishte gatishmëri dhe refuzimin e plotë të Prishtinës, pra Kurtit.

“Vuçiq është kujdesur që gjatë gjithë kohës, si të gjithë anëtarët e ekipit, të qëndrojnë të qetë dhe të përkushtuar, ekskluzivisht të përkushtuar në gjetjen e një zgjidhjeje, që Kurti në asnjë moment të mos na provokojë dhe ka pasur momente të tilla”, tha Petkoviq.

Ndryshe, pas takimit të djeshëm në Bruksel, më përjashtim të shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrel, as Kurti dhe as Vuçiqi nuk u janë drejtuar mediave. Sipas Petkoviqit, presidenti Vuçiq, të dielën do t’i drejtohet qytetarëve për situatën aktuale, dialogun, propozimet dhe sjelljen e Albin Kurtit.

TRT Balkan / agjencitë