Rama: Kthimi i forcave serbe në Kosovë është joreal, kurrë më nën Beogradin.     Foto: Edi Rama/Facebook

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka folur para diplomatëve të huaj në Tiranë, në darkën tradicionale të fundvitit. Rama foli për suksesin e vendit të tij në plan ndërkombëtar gjatë vitit 2022, por edhe për sfidat e Shqipërisë, rajonit dhe Evropës gjatë vitit që po lëmë pas.

Një pjesë të rëndësishme të fjalimit të tij, kryeministri shqiptar ia ka kushtuar edhe çështjes së Kosovës dhe tensioneve në veri. Ai tha se rritja e tensioneve në veri të Kosovës jo vetëm që nuk i ndihmon procesit të normalizimit të marrëdhënieve, por është thellësisht shqetësuese.

“Së fundmi, dëgjuam deri për kërkesa të bëra NATO-s për të dërguar trupa serbe në veri të Kosovës, për të mbrojtur serbët etnikë. E kuptoj që kjo mund të jetë një tjetër shashkë speciale e retorikës politike, por është po kaq surreale sa do të ishte nëse Kosova do t’i kërkonte NATO-s të dërgonte trupa shqiptare në Serbinë jugore për të mbrojtur shqiptarët etnikë”, ka thënë Rama.

Ai u bëri thirrje palëve që t’i kthehen dialogut, si rrugë e vetme që çon përpara.

“Kemi hyrë në dekadën e tretë qysh kur Kosova u lirua një herë e përgjithmonë nga Beogradi. Ajo nuk do të jetë kurrë më nën ligjin e Beogradit. Ne kemi nevojë vetëm për tri gjëra: Dialog, dialog, dialog. Pjesa tjetër është thjeshtë politikë e keqe. E di më së miri se është më e lehtë ta thuash se ta bësh një gjë të tillë, por çdo rrugë e shkurtër që merret përtej dialogut të vështirë, madje të dhimbshëm midis Serbisë dhe Kosovës, jo vetëm për ato të dyja, po për gjithë rajonin shpie në një territor shumë të rrezikshëm”, theksoi Rama.

Kryeministri i Shqipërisë tha se duhet ta mbajmë murtajën e luftës ruse larg këtij rajoni dhe të ndërtojmë ura bashkëpunimi me të gjithë.




TRT Balkan