Rama mbledh në takim liderët e rajonit, do të mungojë Kurti / Foto: AA

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu ka sqaruar se kryeministri Albin Kurti e ka njoftuar kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama se nuk do të mund të shkojë në takimin joformal të liderëve të rajonit në Tiranë, pasi muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në të njëjtën ditë.

Kryeziu ka shkruar në Facebook se para një jave Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është ftuar nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për një drekë joformale me Komisarin Evropian Oliver Varhelyi në Tiranë e ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor.

“Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë. Natyrisht Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, data e të cilit dihet: 16 tetor 2023”, ka shkruar ai.

ATA