Rama në OKB: Dialogu rruga e vetme për Kosovën dhe Serbinë     Foto: Kryeministria e Shqipërisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në sesionin 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në lidhje me referendumet në zona e kontrolluara nga Rusia në Ukrainë, ka deklaruar se “referendume farsë po zhvillohen në disa pjesë të territorit të pushtuar të Ukrainës nën kërcënimin e pushkës”. Në fjalën e tij, kryeministri Rama ka folur për disa çështje, si për sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë, ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, nismën “Ballkani i Hapur”, luftën Rusi-Ukrainë dhe çështje të tjera. "Një hetim i thelluar, i gjatë e tërësor i kryer me ekspertizën më të mirë botërore kundër terrorizimit kibernetik ka konfirmuar përtej çdo dyshimi që sulmi kibernetik që donte të gjunjëzonte një vend sovran ishte një agresion i sponsorizuara shtetëror, orkestruar dhe kryer nga Republika Islamike e Iranit. Qeveria shqiptare nuk pati asnjë zgjedhje tjetër, por vetëm të ndërpriste marrëdhëniet diplomatike me Iranin", u shpreh Rama. Kryeministri Rama ka folur edhe në lidhje me nismën "Ballkani i Hapur". "Do të them dhe disa fjalë për Ballkanin, jo për të shkuarën, por për të ardhmen, atë për të cilën po punojmë të ndërtojmë së bashku në rajonin tonë. Kjo na bëri bashkë me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, për të krijuar nismën e Ballkanit të Hapur, një platformë e hapur për të gjitha vendet e Ballkanit, jo vetëm ne të tre, por për Malin e Zi, për Kosovën, për Bosnjën, për Türkiye-n, për Greqinë e më tej, një investim për gjithkënd si pjesë e projektit më të gjerë të përbashkët evropian”, tha Rama Rapoetet mes Kosovës dhe Serbisë po ashtu kanë zënë hapësirë në fjalimin e kryeministrit Rama. Sipas tij, është koha që Kosova dhe Serbia të lëvizin përtej ngërçit aktual në dialogun e tyre dhe të punojë me kurajë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse paqeje. “Dialogu nuk është vetëm rruga më e mirë, por rruga e vetme dhe e patjetërsueshme për t’u marrë me këto çështje, sado të vështira të duken dhe sado komplekse të jenë. Mbetem i bindur që Ballkani i Hapur vetëm sa do të ndihmojë të lehtësojë këtë proces për të mirën e të gjithëve, të shqiptarëve dhe të serbëve, të Kosovës dhe Serbisë por edhe për rajonin dhe Europën më gjerë", tha Rama. Në lidhje me luftën në Ukrainë, Rama tha se do të vazhdojnë të qëndrojmë në solidaritet të plotë me Ukrainën dhe popullin e saj. "Ndërkohë që bota pret që Rusia t’i thërrasë arsyes, të ndalë luftën dhe të angazhohet në bisedime për paqe, vetëm pak ditë më parë Kremlini bëri një zgjedhje tjetër, atë të përshkallëzimit, duke shpallur mobilizim të pjesshëm që do të thellojë konfliktin, do të shkaktojë më shumë krime, më shumë viktima, më shumë mjerim, por gjithashtu dhe që do ta turpërojë edhe më shumë Rusinë. Referendume farsë po zhvillohen në disa pjesë të territorit të pushtuar të Ukrainës nën kërcënimin e pushkës", ka theksuar Rama. Ndryshe, ai potencoi se Shqipëria nuk do të ndalet së luftuari për pastërtinë e luftës çlirimtare të Kosovës.

TRT Balkan / agjencitë