Gjatë ditës së sodit në Bruksel janë takuar krerët e Kosovës dhe Serbisë.     Foto: AA 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësim të BE-së, sot në Bruksel janë duke diskutuar për çështjet e hapura mes dy shteteve.

Takimi po zhvillohet me prezenecën e shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell. Para takimit ai u përshëndet me Kurtin dhe Vuçiqin.

Gjatë shtrëngimit të duarve me kryeministrin Kurti, përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell u interesua për takimin e tij me Shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ata kanë shtrënguar duart derisa Borrell i ka përmendur Kurtit takimin që ky i fundit e ka zhvilluar dje në selinë e NATO-s me shefin e kësaj aleance, Jens Stoltenberg. Borrell i tha Kurtit, se për takimin kishte lexuar në gazeta.
Takimi mes Kurtit dhe Vuçiqit, po ndodh pas më shumë se një vitë nga takimi i fundit mes tyre. Ndryshe, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg pas takimeve që ka zhvilluar dje ndaras me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtit, dhe me presidentin e Serbisë, ka thënë se misioni i KFOR-it do të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti në Kosovë.

Ai gjithashtu ka kujtuar se KFOR-i është misioni më i madh jashtë territorit të NATO-s, me rreth 4.000 ushtarë dhe sipas tij prezenca e KFOR-it në veri mund të rritet nëse është e nevojshme.

TRT Balkan / agjencitë