Nën kujdesin e Ambasadës së Türkiyes në Shkup është mbajtur ceremoni përkujtimore me rastin e përvjetorit të 86-të të ndarjes nga jeta të themeluesit të Republikës Turke, Mustafa Kemal Atatürk.
Në ceremoninë e organizuar në ambientet e rezidencës së ambasadës turke, të pranishëm ishin ambasadori i Türkiyes në Shkup, Fatih Ulusoy, përfaqësues të ambasadës, përfaqësues të institucioneve turke në vend, deputetët turq të kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Salih Murat dhe Beycan Ilyas, si dhe të ftuar të tjerë.
Në orën 09:05, pas një momenti heshtjeje, u intonua himni kombëtar turk.
Sekretarja e tretë në ambasadë, İrem Nur Taşer, në fjalën e saj, mes tjerash tha se Ataturku, me veprimet dhe fjalët e tij, doli përtej kufijve të Türkiyes, duke u vlerësuar në mbarë njerëzimin.
Taşer tha se në takimet e tyre sot me përfaqësues të vendeve të ndryshme, bashkëbiseduesit e tyre theksojnë se mesazhet e lëna nga Ataturku u kanë dhënë edhe atyre udhëzime.
"Duke kuptuar dhe zbatuar parimet e tij, ne mund të konsolidojmë vendin tonë si një shtet udhëheqës në komunitetin ndërkombëtar dhe të kontribuojmë për paqen dhe sigurinë në mjedisin e sotëm shumë kompleks dhe të ndjeshëm. Ne do të vazhdojmë të lavdërojmë dhe mbajmë gjallë Republikën e Türkiyes, veprën më të madhe të udhëheqësit tonë të madh. Përkujtojmë me respekt dhe mirënjohje Gazi Mustafa Kemal Ataturkun, bashkëluftëtarët e tij, të gjithë dëshmorët dhe veteranët tanë", tha Taşer.
Ceremonia përkujtimore e Ataturkut në Prishtinë
Është mbajtur në Prishtinë ceremoni përkujtimore me rastin e 86-vjetorit të ndarjes nga jeta të liderit të madh Mustafa Kemal Ataturk, themeluesit të Republikës së Türkiyes.
Në ceremoninë e mbajtur në rezidencën e Ambasadës së Türkiyes në Prishtinë morën pjesë ambasadori i Türkiyes në Prishtinë Sabri Tunç Angılı, ministri i Zhvillimit Rajonal të Kosovës, njëherësh kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka, deputetët e KDTP-së, Fidan Brina Jılta dhe Enis Kervan, pjesëtarë të KFOR-it, përfaqësues të institucioneve turke në Kosovë dhe mysafirë të tjerë.
Ceremonia nisi në orën 9:05, në kohën kur Ataturku ndërroi jetë, me një minutë heshtjeje dhe intonimin e Himnit Kombëtar.
Në fjalën e tij në ceremoni, ambasadori Angılı tha se Atatürk ishte pionier dhe udhëhoqi kombin turk që të rilindte nga hiri i tij.
Angılı konsideroi se tipari më i rëndësishëm që përcakton Republikën e Türkiyes është pavarësia e saj.
“Më 10 nëntor 1938, kombi turk humbi jo vetëm liderin e tij të madh, por edhe një bir të madh që ia kushtoi jetën kombit të tij. Por Gazi Mustafa Kemal Ataturku vazhdoi të jetojë në zemrën e kombit turk dhe do të vazhdojë të jetojë përgjithmonë. Shpirti i tij u prehtë në paqe”, tha Angılı.
Zëvendësministrja turke e Rinisë dhe e Sporteve, Safa Koçoğlu, e cila mori pjesë në ceremoni, tha gjithashtu se mbajtja gjallë e trashëgimisë së Ataturkut dhe kuptimi i saj është i mundur jo vetëm duke kuptuar të shkuarën, por edhe duke përmbushur përgjegjësitë për të ardhmen.
Koçoğlu tha se Ataturku u besonte të rinjve në shumë çështje.
“Ne e ndiejmë me gjithë zemër përgjegjësinë tonë për të mbrojtur Republikën tonë, lirinë dhe të ardhmen tonë, që na është besuar neve, të rinjve”, theksoi ajo.
Koçoğlu përkujtoi Gazi Mustafa Kemal Ataturku dhe të gjithë dëshmorët “me respekt, mëshirë dhe mirënjohje”.