Shtyhen për 1 shtator masat e reciprocitetit     Foto: AA

Zbatimi masës së reciprociteti për letërnjoftimet dhe targat e lëshuara nga Serbia, në Kosovë do të zbatohet nga 1 shtatori. Ky vendim i Qeverisë së Kosovës erdhi pas takimeve me faktorin ndërkombëtar. "Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani dhe zëvendës kryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës", thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës. Ndryshe, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka dënuar ashpër bllokimin e sotëm të rrugëve në veri të Kosovës dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje. "Bëhet fjalë për tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes dhe sigurisë së qytetarëve dhe vendit tonë. Akte agresive të shumta ka pasur në pasditen dhe mbrëmjen e sontme të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar", thonë nga Qeveria e Kosovës. Hovenier: Ka keqkuptime dhe dezinformata rreth vendimeve Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti kërkoi nga autoritetet qeveritare të Kosovës që të shtyjnë implementimin e masave të reja të reciprocitetit ndaj Serbisë për 30 ditë. “Një nga arsyet që jam këtu për takim me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti, zv. Kryeministrin Bislimi dhe ministren e jashtme Gërvalla është që të përcjelli një kërkesë të qartë të SHBA-së për shtyrjen e implementimit e dy vendimeve për 30 ditë. Mendojmë se shtyrja për 30 ditë është e rëndësishëm pasi shihet se ka keqkuptime dhe dezinformata rreth këtyre vendimeve. Do të bisedojmë edhe me kolegët e BE-së që të punojmë me qeverinë që të ketë më shumë qartësi për këto vendime. Dua të jem i qartë. Nuk duam që këto vendime të rishikohen. Duam edhe të jemi të qartë se jemi të shqetësuar se disa individë po i shprehin pakënaqësitë mes vendosjes së barrikada dhe mohimit të lirisë së lëvizjes. Nuk i përkrahim këto veprime. Mënyra e shprehjes së pakënaqësive është mes dialogut. Do të shohim përpara për vendimet e qeverisë.”, deklaroi Hovenier pas takimit.

TRT Balkan