Trashëgimitë jomateriale nga Ballkani nën mbrojtjen e UNESCO-s.     Foto: TRT Balkan

Xhubleta shqiptare, një veshje tradicionale e veriut të Shqipërisë, edhe zyrtarisht u bë trashëgimi kulturore e njerëzimit nën mbrojtjen e UNESCO-s. Kjo veshje 4000-vjeçare u pranua nën ombrellën e UNESCO-s këtë javë, kur Shqipëria festonte 110-vjetorin e pavarësisë.

Por, UNESCO-ja ka marrë edhe shumë trashëgimi të tjera ballkanike nën mbrojtjen e saj. TRT Balkan ju sjell listën e trashëgimive nën mbrojtje të UNESCO-s nga disa vende të rajonit.

Shqipëria

Përveç xhubletës, aftësisë dhe zejtarisë për prodhimin e saj dhe formave të përdorimit, UNESCO-ja ka nën mbrojtjen e saj një tjetër trashëgimi jomateriale nga Shqipëria.

Bëhet fjalë për isopolifoninë folklorike, edhe atë duke njohur veçoritë e këngës gege dhe asaj toske. Kjo trashëgimi jomateriale u përqafua nga UNESCO-ja në vitin 2008.

Maqedonia e Veriut

Në vitin 2013, UNESCO pranoi si trashëgimi jomateriale të njerëzimit “Festën e dyzetë martirëve të shenjtë në Shtip”, e cila mbahet çdo vit më 22 mars për të nderuar martirët e shekullit IV.

Nga Maqedonia e Veriut janë marrë nën mbrojtje edhe vallja “Kopaçkata” - valle shoqërore nga fshati Dramçe, Pijanec - dhe vallja “Gllasoeçko” , këndim dypjesësh mashkullor në Pollogun e Poshtëm.

Gjithashtu, Maqedonia e Veriut shfaqet edhe në regjistrin e praktikave të mira mbrojtëse, bashkë me Türkiyen për festën e Shën Gjergjit (Hidrellez në turqishte) dhe bashkë me Bullgarinë, Rumaninë e Moldavinë për praktika kulturore që lidhen me 1 marsin.

Mali i Zi

Vetëm një traditë nga Mali i Zi gjendet aktualisht në listën për mbrojtje nga UNESCO-ja. Bëhet fjalë për trashëgiminë kulturore të Gjirit të Marinës së Kotorrit: një paraqitje festive e një kujtese dhe identiteti kulturor. Kjo trashëgimi u bë pjesë e UNESCO-s në vitin 2021.

Serbia

Serbia ka katër trashëgimi jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s. “Poçaria nga Zlakusha”, poçaria me rrota dore në fshatin Zlakushë është trashëgimi kulturore që u bë pjesë e UNESCO-s në vitin 2020.

Më herët, UNESCO-ja kishte marrë nën mbrojtje këndimin nën tingujt e gusles (lahutës), vallen tradicionale Kolo dhe festimin e Ditës së Shenjtorëve të Familjes.

Bosnjë e Hercegovina

UNESCO-ja ka nën mbrojtje edhe katër trashëgimi kulturore jomateriale nga Bosnjë e Hercegovina. Ndër to është traditat e garës së kositjes së barit në Kupres, një ceremoni interesante që mbahet çdo korrik në Kupres.

Edhe mbledhja e barit iva në malin Ozren është pjesë e trashëgimisë së mbrojtur nga UNESCO-ja. Kjo është një ceremoni që mbahet çdo vit më 11 shtator, në ditën e vrasjes së Gjon Pagëzorit.

Gjithashtu, UNESCO-ja mbron edhe dy zeje nga Bosnjë e Hercegovina, mënyrën e gdhendjes së drurit në Konjiç dhe qendisjen e Zmijanjes.

Kosova, peng i politikës

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në UNESCO në vitin 2015, por pas një lobimi të ashpër të Serbisë nuk arriti që të anëtarësohet në këtë trup të OKB-së. Si pasojë, UNESCO-ja nuk i referohet Kosovës si shtet, ndërsa në pjesën e monumenteve të rrezikuara të trashëgimisë kulturore, ka listuar edhe katër manastirë ortodoksë në territorin kosovar, me kërkesë të Serbisë. Bëhet fjalë për Manastirin e Deçanit, Patrikanën e Pejës, Manastirin e Graçanicës dhe Kishën e Shën Premtes në Prizren.

Vitin e kaluar, kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca iu dërguan një letër UNESCO-s duke kërkuar që këto objekte të hiqen nga lista e monumenteve të rrezikuara sepse shteti i Kosovës kujdeset për to dhe ato janë pjesë e territorit dhe legjislacionit të Republikës së Kosovës.

Kosova gjithashtu e ka ftuar UNESCO-n që të rishikojnë terminologjinë e vjetruar, pasi që në raportet dhe dokumentet e UNESCO-s edhe më tutje përmendet “Provinca Autonome e Kosovës” (tanimë Republika e Kosovës) dhe “Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë” (tanimë Institucionet Shtetërore të Republikës së Kosovës).

TRT Balkan