Vendosen barrikada në veri të Kosovës kundër masave të reciprocitetit     Foto:AA

Pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinje në veri të Kosovës, sonte janë mbyllur për shkak të bllokimit të rrugëve në drejtim të këtyre pikë kalimeve kufitare, njoftuan nga Policia e Kosovës. "Njoftohen të gjithë qytetarët të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim", thonë nga Policia e Kosovës. Pasditen e sotme në pjesën veriore të Mitrovicës u ndezën sirenat për alarm. Kjo ishte arsyeja që filloi bllokimi i rrugëve në Zubin Potok dhe Zveçan. Barrikadimi i rrugëve është bërë me automjete të ndryshme. Gjatë ditës së sotme kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e zhvilloi mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kosovës, ku është diskutuar situata e sigurisë dhe fillimi i masave të reja të reciprocitetit. Prej sonte në mesnate me vendim të Qeverisë së Kosovës çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, do të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një dokument për hyrje/dalje. Regjistrohen të shtëna, maltretohen qytetarët shqiptar Policia e Kosovës ka siguruar informacione zyrtare se në disa lokacione janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, ku disa prej të shtënave kanë qenë në drejtim të njësiteve policore, por fatmirësisht nuk ka të plagosur, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës të publikuar në Facebook. "Po ashtu janë siguruar informacione nga ana e qytetarëve se ka raste ku janë ndaluar dhe maltretuar qytetarë shqiptarë, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve", njoftojnë nga Policia e Kosovës. Kurti: Vuçiq dhe Petkoviq përgjigjësit kryesor për trazirat në Veri Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka reaguar ndaj sulmit të strukturave ilegale serbe në veri të Mitrovicës, si pasojë e paralajmërimit të masave të reja të reciprocitetit që autoritetet kosovare kanë paralajmëruar, dhe të cilat priten të hyjnë në fuqi gjatë ditës së nesërme. Ai nëpërmjet rrjetit social Facebook ka shkruar: "Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, Ende pa filluar lëshimi ynë i dokumenteve të hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare me Serbinë, strukturat ilegale serbe në veri filluan me bllokim rrugësh dhe të shtëna armësh. Atyre ju paraprinë deklaratat, takimet dhe mbledhjet e frikës dhe kërcënimit në Beograd dhe në Rashkë. Aty u planifikuan dhe u nxitën këto veprime agresive që po ndodhin sot. Vuçiq dhe Petkoviq janë përgjegjësit kryesorë për trazirat", ka shkruar Kurti. Ai më tutje theksoi se "Qeveria e Republikës së Kosovës është demokratike e progresiste, që e don, respekton dhe zbaton ligjin dhe kushtetushmërinë, paqen dhe sigurinë, për të gjithë qytetarët pa dallim dhe për mbarë vendin tonë të përbashkët. Organet e rendit dhe të sigurisë së shtetit tonë po mbledhin informacion, po mbikëqyrin gjendjen dhe do të veprojnë, në mbrojtje të ligjit dhe të qytetarëve, të sovranitetit dhe integritetit tonë territorial", vazhdoi Kurti. Në vazhdim kryeministri Kurti kërkoi që të përcillen me vëmendje njoftimet nga qeveria e Kosovës, nga ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, dhe të mos lejohet dezinformimi nga mediet e Beogradit zyrtar apo edhe ndonjë medie në Kosovë që me vetëdije u shërben atyre apo pa vetëdije bie pre e tyre. Sipas Kurtit orët e ditët e javët në vijim mund të jenë sfiduese e problematike. "Po përballemi me nacional-shovinizmin serbomadh që e njohim mirë. Do të punojmë ditë e natë, do të jemi në krye të detyrës, për juve si qytetarë dhe për Republikën tonë demokratike. Dhe, së bashku arrijmë të ngadhënjejë rendi e ligji duke i vendosur ato në çdo cep të vendit", përfundoi Kurti.

TRT Balkan