Vuçiq: Dialogu, mënyra e vetme për zgjidhjen e problemeve / Foto: AA

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka njoftuar sot se do të takohet me delegacionin e Kosovës të mërkurën ose të enjten në Bruksel.

“Për ne është obligim sepse gjithmonë kemi besuar se dialogu është mënyra e vetme për zgjidhjen e problemeve. Dhe problemet po grumbullohen”, theksoi Vuçiq në konferencën për media.

Ai akuzoi se që nga ardhja në pushtet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Kosovë, “ka pasur 401 sulme ndaj serbëve atje dhe 41 lëvizje të përshkallëzuara – që do të thotë se ata janë përpjekur të provokojnë konflikte në veri të Kosovës shumë herë”.

Vuçiq theksoi se Serbia ka biseduar me përfaqësuesit e serbëve në mënyrë që ata të jenë të gatshëm të pranojnë dialog për zgjedhjet e reja në veri të Kosovës.

Duke iu përgjigjur pyetjeve, Vuçiq tha se për një kohë të gjatë nuk i beson kryeministrit të Kosovës Kurti dhe se dëshiron zgjidhje të arsyeshme dhe racionale.

"Nëse më pyesni nëse jam për atë që e quajnë Serbi e madhe, unë do të them jo. Dhe Kurti nuk do të thotë kurrë se nuk është për një Shqipëri të madhe, por se nuk është prioritet", tha Vuçiq.

AA