Vuçiq: Prishtina po e cenon paqen.     Foto: Tanjug 

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha sot se pushteti në Kosovë do të përballet me rezistencë të qetë dhe demokratike të popullit serb nëse fillojnë konfiskimin e targave dhe porositi se Serbia nuk do të lejojë përndjekjen dhe vrasjen e popullit të saj.
Pas takimit me përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovë dhe seancës së Këshillit të Sigurisë, Vuçiq tha se përfaqësuesit serbë i kanë thënë se do të bëjnë çfarëdolloj rezistence paqësore ndaj autoriteteve të Prishtinës.
Vuçiq madje akuzoi Prishtinën se po e cenon paqen dhe mbijetesën e serbëve të Kosovës me “kërcënimet se do të vazhdojë me aksionin për riregjistrimin e automjeteve”.
Presidenti serb njoftoi sot se përfaqësuesit e BE-së dhe vendeve të QUINT-it e kanë njoftuar atë se veprimet e Kosovës lidhur me targat janë legjitime dhe burojnë nga marrëveshjen në kornizën e dialogut, por kanë problem vetëm me kohën dhe mënyrën se si kjo po realizohet. Por, sipas Vuçiqit, ai u ka thënë edhe BE-së edhe vendeve të QUINT-it se veprimet e Kosovës nuk janë legjitime.
Ai tha se Serbia do të bëjë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, por gjithashtu beson se ka mjaftueshëm urtësi në Prishtinë dhe tek ata që e përkrahin që të mos nisen kundër popullit serb.
“Jemi marrë vesh se do të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, të bëjmë gjithçka që të deeskalojë situata, por edhe do të jemi pranë popullit tonë serb nëse sulmohet”, u tha Vuçiqi gazetarëve.
Më 31 tetor skadon afati i Qeverisë së Kosovës për serbët lokalë për riregjistrimin e automjeteve me targat zyrtare të Republikës së Kosovës.

TRT Balkan / agjencitë