Kryeministr i Kosovës, Albin Kurti, dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama     Foto: AA

Me ceremoni shtetërore kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrat e kabinetit qeveritar, ka pritur homologun e tij shqiptar Edi Rama me ministrat e kabinetit të Qeverisë së Shqipërisë në mbledhjen e 8-të me radhë të dy shteteve.

Dy qeveritë do të nënshkruajnë marrëveshje në fusha të ndryshme.
Palët angazhohen të bashkëpunojnë në fusha si: infrastruktura portuale dhe hekurudhore në funksion të tregut të përbashkët kombëtar dhe katër lirive ekonomike, projekti i portit të ri tregtar në Porto Romano, integrimi me hekurudhën Durrës-Prishtinë, si dhe Porti i thatë në Prishtinë.

Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri kosovar Albin Kurti, tha se marrëveshjet mes dy qeverive janë për lehtësimin e jetëve të qytetarëve në të dy anët e kufirit.

Kurti tha se marrëveshjet që do të nënshkruhen sot do të ndikojnë edhe më tej në thellimin e bashkëpunimit.

“Kjo mbledhje e 8 e dy qeverive tona vjen 6 muaj pas. Brenda këtyre 6 muajve, janë realizuar të gjitha marrëveshjet përveç njërës që do të hyjë në veprim së shpejti. Lehtësimi i marrjes së lejeqëndrimit dhe njehsimi i diplomave. Jemi duke punuar për realizmin e të gjithë marrëveshjeve dhe nga 127 janë zbatuar 75 prej tyre. Të gjitha marrëveshjet e sotme do të lehtësojnë jetën e qytetarëve, duke ndërtuar infrastrukturën e përbashkët. 6 muaj më pas do të kemi rezultatet e ardhshme”, theksoi Kurti.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se kur kanë nisur takimet e dy qeverive ka pasur një volum të shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve me 160 milionë euro në vit, ndërsa vitin 2021 ato kanë arritur 433 milionë euro.

“Sot në Shqipëri rezultojnë të regjistruara 1.225 subjekte biznesi nga Kosova, 1.081 prej të cilave janë pronësi e qindpërqindtë e subjekteve të këtushme, ndërkohë që 145 janë partnerë me ato në Shqipëri. Investimet e Kosovës në Shqipëri më 2017 ishin 9 milionë euro, ndërsa në vitin 2021 ato ishin 139 milionë euro”, theksoi Rama, duke nënvizuar se nga shifra qesharake, raportet e mira midis dy vendeve kanë rezultuar me shifra serioze.

Rama tha se dy qeveritë kanë gjithë mundësitë ta intensifikojnë dhe ta shtojnë volumin e investimeve reciprokisht.

Kryeministri Rama dhe disa prej ministrave të tij të cilët po qëndrojnë nga dita e djeshme në Kosovë, kanë vizituar dje familjen e ish-presidentit Hashim Thaçi si dhe disa fabrika në Kosovë.

Mbledhja e parë e dy qeverive Kosovë-Shqipëri është mbajtur në vitin 2014. Qeveritë e të dyja shteteve janë pajtuar që të mbajnë mbledhje të përbashkëta për vendosje të “një partneriteti strategjik më të strukturuar dhe të institucionalizuar në mes të dy vendeve”.

AA