Osmani në Bruksel: OSBE-ja dhe NATO-ja të mbështesin Ukrainën / Foto: Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, njëkohësisht kryesues i OSBE-së, Bujar Osmani, pati fjalim para Këshillit të Atlantikut të Veriut të NATO-s, ku prezantoi Programin e Maqedonisë së Veriut si kryesuese e OSBE-së në vitin 2023.

Para Këshillit të kryesuar nga Zv/Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoană, Osmani theksoi rëndësinë e rolit të NATO-s dhe të OSBE-së në arkitekturën evropiane të sigurisë. Ai theksoi se fokusi i presidencës do të jetë te njerëzit, ashtu si dhe te vlerat dhe parimet e OSBE-së që u shkelën nga agresioni rus ndaj Ukrainës.

“Agresioni i Federatës Ruse ndaj Ukrainës ka tronditur shtyllat e sigurisë sonë. Prioriteti ynë në të tria aspektet do të jetë të ofrojmë mbështetje thelbësore për Ukrainën dhe popullin e saj", tha Osmani.

Kryesuesi i OSBE-së, Osmani para të pranishmëve theksoi se agresioni ndaj Ukrainës duhet të ndalet, si dhe se vdekja e civilëve dhe shkatërrimet janë të papranueshme, ashtu siç është e papranueshme edhe kostoja e kësaj lufte për mbarë Evropën dhe gjithë rajonin e OSBE-së.

“Vuajtja e civilëve është arsyeja e përqendrimit tonë të fortë te njerëzit që janë të parët që goditen nga ky agresion. Ata që janë të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj luftës dhe konfliktit, kanë frikë për jetën e tyre, ndërsa ata që janë më larg ndiejnë pasiguri dhe ankth. Mënyra e tyre e jetesës është vënë në pikëpyetje dhe përditshmëria u është prishur. Angazhimi ynë është para se gjithash për njerëzit. Kjo është motoja jonë dhe forca lëvizëse për vitin në vazhdim”, tha Osmani.

Në kuadër të vizitës së punës në Bruksel, Ministri i Punëve të Jashtme Osmani realizoi takim edhe me Eurodeputetin dhe Raportuesin për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Europian, Ilhan Kyuchyuk.

Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për procesin aktual të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE dhe nevojës për shpejtim të eurointegrimeve për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Rrugëtimi evropian pozitivisht do të ndikojë në konsolidimin ekonomik dhe demokratik të vendeve të rajonit, sipas tij.

TRT Balkan