Vuçiq: Fëmijët të gatshëm të vdesin në veri të Kosovës / Foto: AA

Sipas presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, “fëmijët e moshës 12, 13 dhe 14 vjeç janë të gatshëm të vdesin" në veri të Kosovës dhe ai nuk mund të fle i qetë natën sepse e di se "çfarë ndodh natën në veri të Kosovës, me kuptimin e plotë të fjalës është duke vluar”.

Vuçiq në një konferencë për media pas takimit me presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, tha se fëmijët serbë të moshës 12-vjeçare në Leposaviç i “ndoqën veturat” e Forcave të Sigurisë së Kosovës natën mes së mërkurës dhe së enjtes dhe theksoi se “askush nuk do të duroj më" Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe "as terrorin e tyre".

"Kjo është një situatë tmerrësisht e vështirë për ne, po përpiqemi të ruajmë paqen pothuajse me çdo kusht, por kemi të bëjmë me njerëz që nuk duan paqe me çdo kusht. Ne na mbetet të luftojmë dhe të mbështetemi në mendje të shëndoshë. Shpresoj që BE-ja dhe ShBA-ja do të kenë forcë të mjaftueshme për të bindur ata që sillen në mënyrë irracionale”, tha Vuçiq.

Duke folur për arrestimin e tre policëve kufitarë, pjesëtarë të Policisë së Kosovës, që ndodhi të mërkurën dhe për të cilët Kosova argumenton se janë rrëmbyer nga territori i Kosovës, Vuçiq tha se vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pranuar se "të arrestuarit kanë shkelur të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare".

Vuçiq përkujtoi se Kurti tha se të arrestuarit ndodheshin brenda Kosovës, 300 metra nga vija administrative ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe theksoi se pjesëtarët e Policisë së Kosovës, sipas tij, nuk kanë të drejtë dhe nuk guxojnë të jenë aty sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike, sepse kur duan t'i afrohen vijës administrative një kilometër ata duhet ta njoftojnë KFOR-in 36 orë përpara.

AA