Kreu i komunikimeve në presidencën turke, Fahrettin Altun, ka deklaruar se në epokën e digjitalizimit kriza e të vërtetës shfaqet si një kërcënim për paqen dhe stabilitetin global.
Në hapjen e samitit ‘Stratcom 2022’ në Istanbul, Altun tha se keqpërdorimi i teknologjive të reja sot nuk është vetëm problem për sigurinë e individëve, shoqërive dhe shteteve, por është edhe një problem sigurie në kontekst global.
“Aktivitetet sistematike të dezinformimit, të cilat riprodhohen vazhdimisht, veçanërisht përmes mediave të reja dhe mediave tradicionale, kërcënojnë paqen dhe stabilitetin global”, tha Altun.
Gjatë samitit dyditor në Istanbul, pjesëmarrësit do të trajtojnë tema globale në fushën e komunikimit strategjik. Duke u mbledhur nën temën “Komunikimi strategjik në epokën e pasigurisë”, në këtë platformë do të shfaqen 52 folës nga më shumë se 24 vende, si dhe një audiencë e shquar prej mbi 3 mijë personash.
“Sot, ne duhet të luftojmë kundër kërcënimeve ndaj të cilave jemi të ekspozuar përmes teknologjive të reja të medias, nga të drejtat e njeriut te siguria kombëtare, nga ngacmimi digjital te gjuha e urrejtjes, nga propaganda terroriste te lëvizjet sistematike të dezinformimit, nga diktatura algoritmike te fashizmi digjital”, tha Altun.
Ai theksoi se kriza e të vërtetës zbulon rëndësinë e institucionalizmit dhe bashkëpunimit të komunikimit strategjik në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Në arenën ndërkombëtare, tha Altun, Türkiye përpiqet të përdorë komunikimin strategjik si mjet për menaxhimin e krizave dhe pasigurive, si dhe për të zgjeruar bashkëpunimin ndërkombëtar në këtë fushë.