Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, deklaroi sot në Istanbul se vendi i tij vitin e ardhshëm planifikon të rrisë prodhimin vendor të naftës në 100 mijë fuçi në ditë.
Erdoğan në Istanbul mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve "Inovalig Champions" në kuadër të Javës Turke të Inovacionit dhe me këtë rast foli për zhvillimet aktuale.
Një nga temat për të cilat Erdoğan foli ishin hapat që Türkiye ka ndërmarrë vitet e fundit në fushën e zhvillimit të industrisë së mbrojtjes.
“Kemi rritur buxhetin e projekteve tona në fushën e industrisë së mbrojtjes nga 5.5 miliardë në mbi 75 miliardë dollarë”, tha Erdoğan duke theksuar se është rritur ndjeshëm edhe numri i kompanive turke që operojnë në këtë fushë.
"20 vjet më parë numri i kompanive tona në industrinë e mbrojtjes ishte 56. Sot në këtë sferë kemi më shumë se 1.600 kompani", tha ai.
Erdoğan rikujtoi se dikur eksporti i Türkiyes në industrinë e mbrojtjes ishte vetëm 248 milionë dollarë dhe tha se këtë vit eksporti me gjasë do të kalojë 4 miliardë dollarë.
Sa i përket industrisë së automjeteve, në të ardhmen e afërt pritet prodhimi serik i automjetit elektrik turk Togg.
"Brenda disa muajsh, në dashtë Zoti, ne do të shohim Togg-un tonë në rrugë, që do të jetë krenaria e Türkiyes dhe e industrisë turke", tha Erdoğan.
Hap pas hapi, sipas Erdoğanit, Türkiye po zgjidh problemin e kostos së jetesës, i cili është burimi më i madh i problemeve për gjithë botën, përfshirë Evropën dhe Amerikën.
“Ne do të vazhdojmë luftën tonë të vendosur derisa ta shohim Türkiyen në mesin e 10 ekonomive kryesore të botës", përfundoi Erodğan.