Erdoğan: Operacioni tokësor kundër terroristëve në Siri në “kohën e duhur”.     Foto: AA

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e grupit parlamentar të AK-së në Kuvendin e Madh Popullor të vendit ka folur edhe për operacionet e Türkiyes në rajonet veriore të Irakut dhe Sirisë.

Sipas tij, operacionet me avionë, artileri, dronë të armatosur janë vetëm fillimi, duke paralajmëruar për një operacion tokësor kundër terroristëve në kohën e duhur.

Duke theksuar se kanë qëndruar besnik ndaj premtimeve të tyre lidhur me kufijtë e Sirisë, Erdoğan tha se nëse bashkëbiseduesit e tyre nuk kanë përmbushur kërkesat e marrëveshjes, atyre u ka lindur e drejta për t'u kujdesur për veten.

"Forcat të cilat dhanë garanci se Türkiye nuk do të përballet me ndonjë kërcënim nga rajonet që i mbajnë nën kontroll në Siri, nuk i kanë mbajtur premtimet", tha ai.

Erdoğan tha se mesazhi i tyre për ata që mundohen ende të gjunjëzojnë Türkiyen me metoda tinëzare është: "Nuk do të keni sukses".

Herët të dielën, Türkiye nisi operacionin "Kthetra-Shpata", një fushatë ajrore ndërkufitare kundër grupit terrorist PKK/YPG, i cili posedon strehë të paligjshme përgjatë kufirit të Irakut dhe Sirisë, nga ku ata planifikojnë sulme në tokën turke.

Ministri i Mbrojtjes së Türkiyes, Hulusi Akar, sot njoftoi se vendi i tij në kuadër të operacionit "Kthetra-Shpata" ka neutralizuar 254 terroristë, ndërsa ka goditur 471 objektiva deri më tani.

Ky operacion ajror erdhi si rezultat i sulmit terrorist në rrugën më të frekuentuar të Istanbulit, "Istiklal", me ç’rast humbën jetën 6 persona, ndërsa 81 të tjerë mbetën të lënduar.

TRT Balkan / agjencitë