Artistes palestineze 40-vjeçare, Maysa Yusuf, e cila praktikon krijimin e kolazheve, i janë shkatërruar shtëpia dhe punishtja gjatë sulmeve izraelite mbi Rripit e Gazës.
Artistja Maysa Yusuf, e cila ka pasur mundësinë të hapë ekspozita në disa shtete, është diplomuar në Arte Pamore, dega Pikturë, dhe merret me art pamor për 14 vjet, duke u specializuar në krijimin e veprave në teknikën e kolazhit.
Ajo ka dalë si një figurë e rëndësishme ndër artistet palestineze. Qëllimi i saj është që t’i paraqesë botës vuajtjet e popullit palestinez, uzurpimin e të drejtave të tij dhe luftën për liri. Gjurmët e konflikteve dhe bllokadave në Gazë janë dukshëm të pranishme në veprat e Yusuf.
Ndonëse punishtja e artistes Maysa Yusuf ka pësuar dëme të mëdha gjatë sulmeve izraelite të fundit, ajo është e vendosur të vazhdojë punën e saj gjatë periudhës më të vështirë të jetës së saj.
"Për mua arti nuk është vetëm një formë shprehjeje, ai është mënyra më e fuqishme për të shprehur luftën e popullit palestinez. E humba punishten time, shtëpia ime u shkatërrua, por unë vazhdoj të reflektoj dhimbjen dhe rezistencën e Palestinës në artin tim," thotë Yusuf.
Në veprat e saj shfaqen figura dhe simbole që përshkruajnë vështirësitë që përjetojnë banorët e Gazës. Në një nga veprat e saj, elementet vizuale të fuqishme të përdorura tërheqin vëmendjen e audiencës për ta simbolizuar shkeljen e të drejtave të palestinezëve nga Izraeli, shtypjen dhe luftën për liri.
Yusuf, e cila për 14 vjet me artin e saj është bërë edhe një zë i popullit palestinez, është në rrugën për t’u bërë një artiste e njohur ndërkombëtarisht. Ajo e përdor artin si mjet të rezistencës, duke u përballur me shumë sfida, brenda dhe jashtë Gazës.
Origjinaliteti dhe kuptimi i thellë në veprat e Maysa Yusuf e bëjnë artin e saj të fuqishëm jo vetëm në aspektin estetik, por edhe si mjet për luftën për liri. Yusuf, e cila vazhdon ta praktikojë artin e saj në Rripin e Gazës të rrethuar, është e vendosur ta shfrytëzojë fuqinë e artit për ta paraqitur kauzën palestineze para botës.