Erdoğan: Bota të marrë masa kundër gjakmarrjes së Izraelit         / Foto: AA

Presidenti i Republikës së Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan bëri sot thirrje për veprim ndërkombëtar për të ndaluar "gjakmarrjen" e Izraelit dhe shtypjen sistematike të palestinezëve.

Duke iu drejtuar anëtarëve të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në pushtet në Türkiye, përmes videokonferencës me rastin e Kurban Bajramit, Erdoğan tha se populli palestinez, i cili i është nënshtruar pushtimit dhe masakrës sistematike për 76 vjet, po e kalon sërish Bajramin në trishtim dhe dëshirë për paqe.

“Dhimbja e 38,000 vëllezërve tanë që u vranë brutalisht nga administrata gjenocidale izraelite na i trishton zemrat si komb dhe si ummet. Ne po kalojmë ditë të testimit jo vetëm të identitetit tonë mysliman, por edhe të njerëzimit tonë. Reagimi ndaj masakrës në Gaza nuk është vetëm detyrë vëllazërore, por edhe njerëzore. Bota duhet të marrë masa kundër gjakmarrjes së Izraelit dhe të parandalojë menjëherë masakrat që ne i shohim çdo ditë”, tha Erdoğan.

Presidenti turk ka kritikuar ashpër administratën e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, duke e dënuar atë për sulmet brutale dhe shkatërruese që po kryen për të zgjatur jetën e saj politike.

“Ne ia komunikuam qartë këtë qëndrim kolegëve tanë javën e kaluar gjatë vizitës sonë në Spanjë dhe në Samitin e Liderëve të G7-s në Itali. Si Türkiye, ne kemi mobilizuar të gjitha burimet tona për të vendosur paqen e qëndrueshme në rajonin tonë dhe për të sjellë para drejtësisë ata që janë përgjegjës për gjenocidin”, shtoi Erdoğan.

Ai kujtoi se Türkiye ishte bashkuar me kombet e tjera në çështjen e gjenocidit kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, si dhe ndërprerjen e marrëdhënieve tregtare me Izraelin, të gjitha me qëllim që të ushtronte presion ndaj Izraelit që të pajtohej me një armëpushim të përhershëm.

Erdoğan theksoi gjithashtu përpjekjet e Türkiyes për të bashkuar botën islame dhe për të rritur numrin e vendeve që njohin shtetin palestinez.

“Ne nuk heshtim për tragjeditë që po ndodhin në pjesë të tjera të botës islame, si dhe në Gaza. Përpjekjet tona vazhdojnë për t'i dhënë fund konfliktit vëllavrasës në Sudan që ka zgjatur për më shumë se një vit. Nga Libia në Somali, nga Afganistani në Jemen, kudo ku ka telashe, destabilitet apo tragjedi, ne nxitojmë të ndihmojmë të shtypurit pa diskriminim”, përfundoi Erdoğan.

TRT Balkan / agjencitë