Erdoğan: Nuk duam të përjetojmë një Çernobil të ri     Foto: AA

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan pas takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy shprehu shqetësim për përleshjet rreth termocentralit bërthamor Zaporizhzhia, duke thënë: "Nuk duam të përjetojmë një Çernobil të ri".

Ai gjithashtu njoftoi se Türkiye po punon për t'i dhënë fund konflikteve në mënyrë diplomatike duke shtuar: "Ne kemi qëndruar pranë miqve tanë ukrainas dhe vazhdojmë ta bëjmë këtë".

Sipas presidentit Erdoğan Türkiye po strehon përkohësisht rreth 325 mijë ukrainas.

Një mesazh nga Erdoğan lidhur me luftën në Ukrainë erdhi edhe për komunitetin ndërkombëtar.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë më shumë përgjegjësi në përpjekjet diplomatike”, përfundoi Erdoğan.

Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi

Në kuadër të takimit të dy presidentëve, Türkiye dhe Ukraina nënshkruan sot një memorandum për rindërtimin e infrastrukturës ukrainase të dëmtuar për shkak të luftës me Rusinë.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri turk i Tregtisë Mehmet Muş dhe ministri i Infrastrukturës i Ukrainës Oleksandr Kubrakov në qytetin ukrainas të Lviv, pas bisedimeve dypalëshe midis presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan dhe atij ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

“Marrëveshja parashikon pjesëmarrjen e palës turke në procesin e rindërtimit të Ukrainës”, tha në një deklaratë Ministria e Infrastrukturës e Ukrainës.

Ministria tha se do të formohet një grup i përbashkët pune për tërheqjen e investimeve turke dhe zhvillimin e projekteve specifike për bashkëpunim.

“Strukturat e biznesit dhe qeverisë turke do të jenë në gjendje të zhvillojnë projekte të veçanta rindërtimi, si dhe të ofrojnë këshillim dhe ndihmë teknike”, thuhet më tej.

TRT Balkan / agjencitë