Erdoğan: Pëlqimi ndaj shtypjes është shtypje / Photo: AA

Si Türkiye, si shtet dhe si komb, ne kemi ngritur zërin kundër mizorive në Gaza që nga dita e parë, shkruan presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan në rrjetin social X.

“Ne jemi të gatshëm të ndërmarrim çdo hap, me gjithë forcën tonë, jo vetëm për ta ndaluar gjenocidin në Gaza, por dhe për ta hapur rrugën drejt paqes së përhershme”, shprehet presidenti Erdoğan.

Mes tjerash ai thekson se “Të gjithëve na dhemb zemra kur shohim fëmijë që presin në radhë me orë të tëra me këmbë të zbathura në shi dhe baltë për një pjatë supë”.

“A mund të heshtë dikush që ka zemër në vend të gurit në trup, për një tragjedi të tillë?”, nënvizoi Erdoğan.

“Dhimbja e popullit të shtypur të Gazës, Palestinës dhe Libanit është dhimbja e të gjithëve ne”, shtoi ai dhe potencoi se “Dhe kështu duhet të jetë”.

Pëlqimi ndaj shtypjes është shtypje, tha Erdoğan dhe thekson se “Ai që qëndron pranë shtypësit bashkëndien me të”.

Ne jemi një komb që ka hapur dyert e tij për të gjithë ata që i janë nënshtruar shtypjes përgjatë historisë, qofshin hebrenj apo të krishterë.

Në botën tonë logjike nuk merret parasysh as identiteti i të shtypurit dhe as besimi i shtypësit.

E them shumë qartë: Urojmë dhe shpresojmë që kësaj gjendjeje çmendurie, që e ka kthyer rajonin tonë në një det gjaku për saktësisht 420 ditë, t'i vijë fundi.

Në këtë drejtim, ne e shohim shumë të rëndësishëm urdhërarrestin e lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për Netanyahun dhe Gallantin.

Shpresojmë që armëpushimi i arritur mes Izraelit dhe Libanit një ditë më parë të jetë gjithashtu i përhershëm.

Para se kushtet e dimrit në terren të bëhen më të rënda, para se të derdhet më shumë gjak i pafajshëm, përpara se sa më shumë nëna dhe baballarë të ndiejnë dhimbjen e humbjes së fëmijëve të tyre, përpara se më shumë fëmijë të mbeten jetimë, përpara se besimi në institucionet ndërkombëtare të dëmtohet më tej...

TRT Balkan / agjencitë