Erdoğan: Türkiye dhe Spanja do të punojnë së bashku për paqen në Palestinë          / Foto: AA

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, në konferencën e përbashkët për media në Madrid me kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez, ka deklaruar se Türkiye dhe Spanja do të vazhdojnë të punojnë së bashku për të ndihmuar në arritjen e paqes midis izraelitëve dhe palestinezëve.

Presidenti Erdoğan tha se “paqja e përhershme, fluksi i pandërprerë i ndihmës janë prioritetet tona”.

“Kryeministri Sanchez ka kontribuar shumë në nxitjen e ndërgjegjes së botës për mizoritë në Gaza”, tha Erdoğan, duke falënderuar “kryeministrin spanjoll për qëndrimin e tij të mençur ndaj Gazës dhe popullin spanjoll për mbështetjen e tyre”.

Erdoğan gjithashtu vlerësoi vendimin e fundit të Spanjës për njohjen e Palestinës si shtet, duke theksuar se vendimi ishte i një “rëndësie të madhe dhe duhet të jetë shembull për vendet e tjera”.

“Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së duhet të qëndrojnë pas një vendimi për armëpushim dhe të bëjnë presionin e nevojshëm mbi Izraelin”, tha ai.

Presidenti turk gjithashtu falënderoi Madridin për mbështetjen për procesin e anëtarësimit të Türkiyes në Bashkimin Evropian (BE).

“Spanja është një nga miqtë tanë që e kupton më së miri kontributin e Türkiyes në BE dhe ka mbështetur procesin tonë të anëtarësimit që nga fillimi”, tha Erdoğan.

Erdoğan foli edhe për luftën Rusi-Ukrainë.

“Ia përsërita kryeministrit spanjoll Sanchez se një paqe e drejtë, gjithëpërfshirëse dhe e përhershme në Ukrainë është e mundur vetëm përmes dialogut”, theksoi ai.

Presidenti turk tha gjithashtu se ai dhe Sanchez diskutuan “kërcënimin në rritje të islamofobisë dhe ksenofobisë në Evropë”, duke shprehur shqetësime në rritje për rritjen e mbështetjes për partitë e ekstremit të djathtë në zgjedhjet e fundit të BE-së në Evropë.

TRT Balkan / agjencitë