Gjatë 24 orëve të fundit vriten 82 palestinezë në Gaza        / Foto: AA

Të paktën 82 palestinezë janë vrarë dhe 122 të tjerë janë plagosur në 24 orët e fundit ndërsa Izraeli po i vazhdon sulmet e tij në Rripin e rrethuar të Gazës, tha sot Ministria e Shëndetësisë e enklavë.

“Okupatori izraelit kreu 10 masakra kundër familjeve në Rripin e Gazës, duke lënë 82 dëshmorë dhe 122 të plagosur gjatë 24 orëve të fundit”, thuhet në njoftimin ministrisë.

“Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi ekipet e shpëtimit nuk janë në gjendje t’i arrijnë ata”, thuhet në njoftim.

“72 për qind e viktimave të agresionit izraelit në Gaza janë fëmijë dhe gra”, njoftohet më tej.

Duke shpërfillur vendimin e përkohshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), Izraeli po i vazhdon sulmet e tij në Rripin e Gazës, ku të paktën 30.960 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe 72.524 janë plagosur që nga 7 tetori, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Izraeli ka sulmuar Rripin e Gazës që nga një sulm ndërkufitar i Hamasit, në të cilin Tel Avivi thotë se janë vrarë afro 1.200 njerëz.

Lufta izraelite në Gaza ka shtyrë 85% të popullsisë së territorit në zhvendosje të brendshme mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, sipas OKB-së.

Izraeli akuzohet për gjenocid në GjND. Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza. Por, sulmet kanë vazhduar pandërprerë dhe dërgesat e ndihmave mbeten mjerisht të pamjaftueshme për të trajtuar katastrofën humanitare.

TRT Balkan / agjencitë