Gjermania deklaroi të hënën se është thellësisht e shqetësuar për rrezikun e përhapjes së konfliktit në Lindjen e Mesme pas vrasjes së liderit të Hamasit Ismail Haniyeh në Iran.
"Qeveria federale po ndjek situatën në Lindjen e Mesme me shqetësim të madh. Siç e dini, kancelari (Olaf Scholz) u ka kërkuar vazhdimisht të gjitha palëve që të mos kontribuojnë në përshkallëzimin e mëtejshëm", u tha gazetarëve në Berlin zëvendës zëdhënësi i qeverisë Wofgang Buechner.
Deklarata e Buechner u përsërit nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Sebastian Fischer, i cili paralajmëroi se "rajoni nuk duhet të rrëshqasë në konflikt".
Fischer vuri në dukje se Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock foli në telefon me homologun e saj jordanez Ayman al-Safadi të premten përpara se të nisej për një takim në kryeqytetin iranian, Teheran.
“Ne po flasim intensivisht me të gjithë partnerët që ndajnë shqetësimet tona”, shtoi Fisher.
Sipas tij, Berlini po përdor të gjitha kanalet për të punuar në de-përshkallëzimin e situatës dhe "përshkallëzimi mund të shmanget dhe kërkon përmbajtje nga të gjitha anët".
Tensionet u përshkallëzuan pas vrasjes së Haniyeh në Teheran dhe vrasjes izraelite të komandantit ushtarak të Hezbollahut Fuad Shukr në Bejrut të dielën e kaluar.
Sulmet erdhën në një sfond të përleshjeve të vazhdueshme midis grupit libanez dhe Izraelit, dhe një lufte në Gaza, në të cilën Tel Aviv ka vrarë afro 40.000 palestinezë që nga 7 tetori 2023.
Irani dhe Hezbollahu janë zotuar se do t'i përgjigjen Izraelit.