Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KShZ) i Maqedonisë së Veriut ka filluar publikimin e rezultateve të para të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, sipas të cilave kryeson partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE.
Në zgjedhjet presidenciale, në bazë të rreth 80 për qind të votave të numëruara, kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska-Davkova, udhëheq me 64,77% për qind ose 413.598 vota, ndërsa presidenti aktual nga radhët e LSDM-së, Stevo Pendarovski, ka grumbulluar 29,28% për qind ose 186.954 vota.
Sa u përket zgjedhjeve parlamentare, në bazë të afër 70 për qind të votave të numëruara, KShZ-ja njofton se VMRO-DPMNE-ja udhëheq me 42,46% për qind të votave, ndjekur nga koalicioni Fronti Evropian me 14,67% për qind të votave, LSDM-ja me 14,48% për qind dhe koalicioni VLEN me 11,67% për qind.
Sot në Maqedoninë e Veriut u mbajtën zgjedhjet parlamentare së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.