Fondacioni Chelsea njoftoi se më 26 mars do të organizojë një Iftar të Hapur në anën e fushës në Stamford Bridge, që do të jetë hera e parë për klubin dhe në një stadium të Premierligës.
Kjo do të mbahet në kuadër të Ramazanit, muajit islam të agjërimit prej para agimit deri në perëndim të diellit, i cili zhvillohet nga e mërkura e 22 marsit deri të premten më 21 prill.
Ngjarja më e madhe e komunitetit në Mbretërinë e Bashkuar në Ramazan, Iftari i Hapur u mundëson myslimanëve që mbajnë Ramazanin mundësinë për t’u mbledhur për të bërë iftar së bashku, si dhe për të ofruar një hapësirë të sigurt për dialog dhe angazhim të ndërsjellë.
Një numër xhamish lokale dhe anëtarë të komunitetit mysliman të Chelseas, si mbështetës dhe nxënës shkollash do të ftohen të marrin pjesë, së bashku me stafin e KF Chelsea.
Iftari i Hapur do të zhvillohet në bashkëpunim me Projektin e Çadrës së Ramazanit, një shoqatë bamirëse e vlerësuar me çmime e themeluar në vitin 2013 me një mision për të bashkuar komunitetet dhe për të zhvilluar të kuptuarit e Ramazanit.
Projekti i çadrës së Ramazanit, të cilët këtë vit festojnë 10-vjetorin e tyre, organizojnë Festivalin vjetor të Ramazanit, i cili është një festë vjetore e artit, kulturës dhe krijimtarisë të frymëzuar nga muaji i Ramazanit.
Themeluesi dhe drejtuesi i Projektit të Çadrës së Ramazanit, Omar Salha tha se në dekadën e fundit Projekti i Çadrës së Ramazanit ka lidhur dhe mbledhur mbi gjysmë milioni njerëz nga të gjitha prejardhjet nëpërmjet Festivalit të tij vjetor të Ramazanit dhe nismës kryesore Open Iftar.
“Ne jemi të nderuar të sjellim Iftarin e Hapur në Stamford Bridge, me rastin e përvjetorit tonë të 10-të dhe temës sonë të vitit 2023 ‘Përkatësia’, dhe të punojmë në partneritet me KF Chelsea, të cilët kanë nxitur përfshirjen në futboll. Në një masë të tillë, ‘Krenaria e Londrës’ do të jetë klubi i parë i Premierligës në histori që do të presë një event të hapur iftari”, tha Salha.
Sipas tij, futbolli dhe Ramazani i bashkojnë njerëzit mbi përvojat e përbashkëta.
“Ne jemi të emocionuar të ndajmë këtë festë të rëndësishme me mbështetësit e futbollit nga të gjitha prejardhjet, që përfaqësojnë një komunitet komunitetesh”, theksoi Salha,
Ramazani do të njihet në KF Chelsea dhe Fondaciionin Chelsea si pjesë e fushatës ‘Jo Urrejtjes’, e cila është një program i barazisë, diversitetit dhe përfshirjes në mbarë klubin që synon urrejtjen dhe diskriminimin dhe synon të edukojë të gjitha palët e interesuara brenda dhe jashtë KF Chelsea dhe futbollit.
Promovimi i tolerancës fetare është një nga fushat kryesore të fokusit të fushatës ‘Jo Urrejtjes’, me festivale të tjera fetare të theksuara gjatë gjithë vitit kalendarik.
Kreu i Fondacionit Chelsea, Simon Taylor tha është i lumtur të shpall Iftarin e Hapur së bashku me Projektin e Çadrës së Ramazanit.
“Ne jemi jashtëzakonisht krenarë që jemi klubi i parë i Premierligës që e bëjmë këtë. Njohja e Ramazanit dhe komunitetit tonë mysliman është një aspekt thelbësor i punës sonë në promovimin e tolerancës fetare dhe mezi pres t’i mirëpres të gjithë të dielën më 26 mars”, tha Taylor.