Oktay: Ballkani jashtëzakonisht i rëndësishëm për stabilitetin botëror.       Foto: AA

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Türkiyes (TBMM), Fuat Oktay, tha se Ballkani është jashtëzakonisht i rëndësishëm për garantimin dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit botëror.

Oktay dhe delegacioni i tij shoqërues, të cilët qëndruan për vizitë në Shkup, u pritën nga kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Afrim Gashi, ndërsa më pas u takuan me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Musa Xhaferi, dhe delegacionin e tij.

Oktay po ashtu bisedoi me qytetarët edhe në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, ku vizitoi Xhaminë Mustafa Pasha, Bezistenin dhe Shoqatën Ensar, si dhe Xhaminë Murat Pasha.

Në një deklaratë për gazetarët, ai theksoi se takimet e tij në Shkup kanë qenë jashtëzakonisht produktive.

“Ndihemi sikur ecim nëpër ndonjë çarshi në Türkiye dhe njerëzit janë po aq të ngrohtë”

Oktay deklaroi se Türkiye dhe Maqedonia e Veriut janë dy vende me një unitet të përbashkët historik dhe kulturor. “Jemi në Çarshinë e Vjetër të Shkupit dhe kur shikojmë përreth, është sikur të ecim në ndonjë rrugë apo çarshi në Bursa. Ndihemi sikur ecim në ndonjë çarshi në Türkiye dhe njerëzit janë po aq të ngrohtë”, tha ai.

Oktay tha se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në nivel të lartë dhe theksoi arritjen e marrëveshjes për krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë, duke shtuar se bisedimet në nivel parlamentar dhe ndërqeveritar për ta përshpejtuar këtë proces kanë vazhduar.

“Shpresojmë që kjo të përmbyllet sa më shpejt. Kemi marrëdhënie intensive në industrinë e mbrojtjes dhe në fushën ushtarake. Tashmë është nënshkruar Marrëveshja Kornizë Ushtarake”, shtoi më tej ai.

Oktay tha se vëllimi i tregtisë mes Türkiyes dhe Maqedonisë së Veriut ka arritur në 1 miliard dollarë dhe nënvizoi se synimi i tyre është ta dyfishojnë këtë dhe të arrijnë në 2 miliardë dollarë.

Ai vuri në dukje se ministri i Tregtisë Ömer Bolat ishte gjithashtu në vend si pjesë e Forumit të Biznesit të mbajtur në Shkup së fundmi dhe tha se kanë parë vullnet te kryeministri i Maqedonisë së Veriut Kristijan Mickoski dhe presidentja Gordana Siljanovska-Davkova për të zhvilluar bashkëpunimin mes dy vendeve.

Oktay u shpreh se duhet të zgjerohet fushëveprimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë për të kontribuuar në zhvillimin e këtyre bashkëpunimeve dhe vuri në dukje se këto çështje janë diskutuar gjatë vizitës së tij.

Oktay deklaroi se Türkiye është ndër vendet më të mëdha me investime në Maqedoninë e Veriut, duke shtuar: “Ne vlerësuam çështjet që kanë të bëjnë si me zgjidhjen e problemeve të biznesmenëve tanë, ashtu edhe me hapjen e rrugëve të tyre. Kur shikojmë Maqedoninë e Veriut, ka një strukturë multikulturore dhe multishoqërore. Grupe të ndryshme etnike jetojnë së bashku në solidaritet dhe ecin drejt së ardhmes. Është një vend që ka filluar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian pas anëtarësimit në NATO. Komuniteti turk është një nga këto, kështu që ne patëm mundësi për të pasur takime të ngushta me komunitetin turk dhe për të dëgjuar personalisht problemet e tyre”.

Ai tha po ashtu se janë shkëmbyer mendime të ndryshme lidhur me situatën globale, duke përfshirë Rripin e Gazës. Oktay përsëriti qëndrimin e Türkiyes për krijimin e një shteti palestinez me kufijtë e vitit 1967, me Kudsin Lindor si kryeqytet.

Oktay njoftoi se gjatë kontakteve të tij është biseduar gjithashtu për Sirinë, duke theksuar vendosmërinë e Türkiyes për eliminimin e organizatave terroriste në këtë vend.

- “Ballkani është jashtëzakonisht i rëndësishëm për garantimin dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në mbarë botën”

Oktay tha se gjatë bisedimeve është diskutuar edhe për luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, e cila ka të bëjë ngushtë me Ballkanin, si dhe shprehu shpresën se ajo do të përfundojë sa më shpejt.

“Si Türkiye, ne kemi punuar tashmë për këtë çështje për një kohë shumë të gjatë, veçanërisht nën udhëheqjen e presidentit tonë Recep Tayyip Erdoğan, në aspektin e diplomacisë midis liderëve dhe me institucionet tona përkatëse, duke përfshirë parlamentin tonë”, tha ai.

Oktay vuri në dukje se Ankaraja do të vazhdojë të mbështesë nismat që synojnë paqen dhe zhvillimin e rajonit dhe u shpreh se zhvillimet në Ballkan janë jashtëzakonisht të rëndësishme.

Oktay tha se Ballkani nuk ka të bëjë vetëm me Ballkanin dhe shtoi se “Ballkani është jashtëzakonisht i rëndësishëm për garantimin dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në mbarë botën”.

Ai nënvizoi se Türkiye e ka përmbushur përgjegjësinë e saj nga afër dhe vuri në dukje se vëllimi i turizmit mes dy vendeve është gjithashtu shumë i mirë.

“Si Türkiye, miqësitë tona në Ballkan janë tashmë shumë të qëndrueshme dhe ne do të përpiqemi të bëjmë pjesën tonë edhe në të ardhmen”, tha ai.

Fuat Oktay më vonë vizitoi Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) dhe mori informacion nga përgjegjësit për punën e këtij institucioni arsimor.

Gjatë takimeve të tij në Shkup, Oktay u shoqërua nga deputetja e AK Partisë nga Gaziantepi, Derya Bakbak, deputeti i CHP-së nga Düzce, Talih Özcan, deputeti i AK Partisë nga Gaziantepi, Ali Şahin, dhe ambasadori i Türkiyes në Shkup, Fatih Ulusoy.

TRT Balkan / agjencitë