Deputetë të opozitës në Shqipëri ndezën sërish tymuese në sallën e seancave plenare të Kuvendit ndërsa vijon bllokimi nga ana e tyre e funksionimit normal të Kuvendit. Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, nisi seancën me diskutimet e deputetëve për shqetësimet e qytetarëve, por në sallë u hodhën tymuese.
Nikolla i komunikoi përjashtimin deputetit Flamur Noka, ndërsa ky i fundit nuk u largua, por u ka vënë flakën letrave dhe tentoi t’u vinte zjarrin edhe karrigeve të grumbulluara në foltore.
Ky veprim i rëndë është parandaluar nga gardistët të cilët e fikën zjarrin.
Deputetët socialistë kanë vijuar me rendin e ditës, por situata e tymit dhe bllokimit të foltores e bëri të pamundur vazhdimin e seancës.
Ndryshe, prej javësh në Kuvend, deputetë të opozitës në Shqipëri nuk lejojnë zhvillimin normal të seancave plenare dhe komisioneve ndërsa kërkojnë ngritjen e tri komisioneve hetimore, teksa PS-së ka depozituar në Kuvend një projektligj ku kërkon ndryshimin e ligjit për ngritjen e komisioneve hetimore.