Gjykata Speciale kufizon kontaktet për Thaçin, Veselin dhe Selimin.     /FOTO: Reuters

Trupi Gjykues i Gjykatës Speciale ka miratuar disa prej masave të cilat i ka parashtruar Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) që kufizojnë kontaktet dhe komunikimet e tre prej të akuzuarve në Qendrën e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara – Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Ky vendim, siç njofton Gjykata Speciale, vjen si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë te dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.

“Hetimet e ZPS-së lidhur me pengimin e drejtësisë tregojnë se tre të akuzuarit përdorën vizitat jo të privilegjuara tek ata për të shpërndarë në mënyrë të paligjshme informacione konfidenciale dhe, në rastin e Thaçit, për t’i instruktuar vizitorët në mënyrë të përsëritur që të kërkojnë të manipulojnë dëshmitë e dëshmitarëve”, thuhet në njoftim.

Tutje, Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se e merr jashtëzakonisht seriozisht pengimin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të hetojë e të ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast, përfshirë ata që frikësojnë ose ndërhyjnë te dëshmitarët, ose ofrojnë mbështetje financiare a të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, bashkë me ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, ngarkohen me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave. Gjithashtu, kundër secilit prej tyre janë ngritur katër akuza për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Në aktakuzë parashtrohet se krimet për të cilat janë ngritur akuzat u kryen së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 dhe ndodhën në disa vende në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi të cilët gjenden në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, janë shprehur të pafajshëm rreth akuzave që rëndojnë mbi ta, që në seancat e para.


TRT Balkan / agjencitë