Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Qendra e Kërkimeve Strategjike Ballkanike (BASAM), organizuan në Prishtinë Forumin Ekonomik Kosovë-Türkiye.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se bizneset e Kosovës janë jo vetëm motor i zhvillimit të vendit, por janë edhe më të kërkuarat për bashkëpunim në rajon dhe më gjerë.
Rafuna tha se janë shumë të lumtur për bashkëpunimin e arritur me Republikën e Türkiyes, derisa falënderoi gjitha institucionet e Republikës së Türkiyes dhe popullin turk.
“Investimet e Türkiyes radhiten në treshen e artë të investimeve në Republikën e Kosovës, edhe atë në fushat më të rëndësishme që ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit tonë, siç janë: arsimi, shëndetësia, financat, tekstili, infrastruktura dhe shumë fusha të tjera”, theksoi Rafuna.
Në fjalën e tij, ambasadori Republikës së Türkiyes në Kosovë, Sabri Tunc Angılı, tha se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Türkiyes në fushën e tregtisë dhe investimeve janë të thella, intensive dhe shumëdimensionale.
Angılı tha se Türkiye ka një investim prej mbi 400 milionë eurosh në Kosovë, duke punësuar 10 mijë persona.
“Në vitin 2022, vëllimi tregtar Türkiye-Kosovë i kaloi 800 milionë euro dhe Türkiye u bë partneri më i madh tregtar i Kosovës. Sipas të dhënave të deritanishme, në vitin 2023 synojmë ta kalojmë këtë 800 milionë dhe shpresojmë të arrijmë një vëllim tregtar prej 1 miliard eurosh”, tha ai.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, tha se synimi është që në vitet e ardhshme të rritet vëllimi i tregtisë ndërmjet Kosovës dhe Türkiyes. Siç tha ajo, Kosova është e hapur për biznese dhe e gatshme për investime, ndërsa Türkiye sjell përvojën, ekspertizën dhe burimet, të cilat janë kyç për të ardhmen e përbashkët ekonomike.
Ajo tha se Kosova është e fokusuar në përmirësimin e sektorëve të teknologjisë, infrastrukturës dhe energjisë.
“Të gjithë jemi të vetëdijshëm për sfidat me të cilat përballemi, por besojmë se ato janë një mundësi për investim dhe inovacione të reja. Kosova ka potencial për zhvillim në fusha të tilla si IT, burimet e ripërtëritshme të energjisë, bujqësia dhe turizmi. Partneriteti ynë me Republikën e Türkiyes ofron akses të mirë në burimet teknologjike dhe tregjet e nevojshme për të arritur të gjitha këto qëllime”, tha Rexhepi.
Forumi ka për qëllim promovimin e investimeve në Republikën e Kosovës. Gjatë këtij forumi u organizua edhe panel i diskutimeve midis përfaqësuesve nga institucionet e të dyja vendeve. Në këtë forum, përveç përfaqësuesve të kompanive nga sektori privat i të dyja vendeve, të pranishëm ishin edhe Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Lulzim Rafuna, Ambasadori i Türkiyes në Kosovë Sabri Tunc Angılı, përfaqësues të institucioneve qeveritare të Kosovës duke përfshirë Zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut Emilija Rexhepi, Ministrin e Zhvillimit Rajonal Fikrim Damka, Zëvendësministrin e Ekonomisë Getoar Mjeku, si dhe disa nga përfaqësuesit e institucioneve shtetërore të Türkiyes.