Fidan: Türkiye e kënaqur me bisedimet për paqe Azerbajxhan-Armeni. / Foto: AA

Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, tha se Ankaraja është e kënaqur me bisedimet e vazhdueshme të paqes midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, duke shtuar se mundësia për paqe është rritur ndjeshëm dhe tani është e pashmangshme.

"Ne mirëpresim përparimin pozitiv të marrëveshjeve të përhershme të paqes dhe përcaktimit të kufijve midis Azerbajxhanit dhe Armenisë", tha Fidan në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij azerbajxhanas Jeyhun Bayramov në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku.

Ai shprehu kënaqësinë e tij për vendimin e fundit të Azerbajxhanit dhe Armenisë për të marrë masa konkrete në drejtim të ndërtimit të besimit.

“Ne shpresojmë se hapa të tillë do të vazhdojnë dhe do të hapin rrugën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje”, tha ai.

Momenti pozitiv në bisedimet e paqes Azerbajxhan-Armeni do të ndihmojë gjithashtu në normalizimin e marrëdhënieve midis Ankarasë dhe Jerevanit, theksoi Fidan.

Kryediplomati turk gjithashtu përgëzoi Azerbajxhanin për vendosjen e kontrollit dhe sovranitetit mbi Karabakun përmes operacionit kundër terrorizmit të zhvilluar në shtator të këtij viti.

Stabiliteti i Kaukazit Jugor është thelbësor për sigurinë e transportit dhe tubacioneve të energjisë, tha Fidan, duke shtuar: "Ne duhet të adresojmë mundësitë dhe rreziqet në sektorin e energjisë me një strategji gjithëpërfshirëse të bazuar në interesat tona të përbashkëta".

"Zgjerimi i kapacitetit të TANAP-it dhe transferimi i gazit natyror të Kaspikut në Türkiye dhe Evropë janë elementë thelbësorë të strategjisë sonë", theksoi Fidan.

Ai u shpreh se një Kaukaz Jugor paqësor dhe i qetë është në interes të të gjithë aktorëve, duke theksuar se të gjitha palët duhet të punojnë për të krijuar një klimë paqeje dhe normalizimi.

“Fatkeqësisht, diaspora armene në Perëndim shfrytëzon kushtet e vështira me të cilat përballet populli armen”, tha kryediplomati turk.

Duke theksuar se diaspora armene përpiqet të nxisë disa vende kundër Azerbajxhanit, Fidan tha: "Do të ishte më e përshtatshme që përpjekjet të kanalizohen drejt krijimit të një mjedisi ku populli armen mund të vendosë marrëdhënie normale me fqinjët e tij, në vend që të merret me këto provokime".

Kryediplomati turk gjithashtu foli për situatën në Gazë dhe përpjekjet diplomatike përmes Kombeve të Bashkuara.

"Vetëm ShBA-ja qëndron mes masakrës dhe armëpushimit në Gaza; nuk duhet të bllokojë më asnjë rezolutë të OKB-së për armëpushim", tha ai.

TRT Balkan / agjencitë